Qeveria “Hoti” hoqi masën e reprocitetit ndaj Serbisë, vendosur nga paraardhësi i i tij Albin Kurti. E bëri këtë një ditë pas takimit Hoti-Kossnet, ku ky i fundit, ambasador i SHBA në Kosovë, ofroi mbështetje amerikane për qeverinë e re të Prishtinës.
“Dje kemi miratuar programin e qeverisë. Kemi miratuar programin e organizimit të qeverisë në përputhje me besimin e deputetëve të Kuvendit. Kemi hequr pengesat për procesin e dialogut, zotim ky që e kemi dhënë përpara partnerëve tanë. Tani presim që edhe pala serbe të heq pengesat që të filloj dialogu me Serbinë”, deklaroi.
Ky i fundit morri menjëherë mbështetjen e Thaçit, njeriut që e mandatoi për kryeministër.
“Tani presioni ndërkombëtar duhet të drejtohet nga Serbia me qëllim që pa humbur kohë të rifillojë dialogu, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve”, shkroi presidenti.
Por Vjosa Osmani, rebelja e LDK-së, e kundërshtoi këtë hap të qeverisë dhe arsyetoi si Albin Kurti.
“Ta quash reciprocitetin ‘pengesë’ do të thotë që barazinë e konsideron pengesë. Do të thotë që nuk e don vendin tënd të trajtuar të barabartë me të tjerët. Ta quash reciprocitetin pengesë do të thotë që ti nuk beson se ke të drejta sovrane, të pavarura e të barabarta, siç janë të parapara në Deklaratën e Pavarësisë e në Kushtetutën e vendit. Të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar i barabartë do të thotë të heqësh dorë nga e drejta për t’u trajtuar sovran si Republikë e Kosovës”, shkroi Osmani.
Nga ana tjetër, i dërguari i special i BE-së Lajçak, iu gëzua vendimit.
“E mirëpres vendimin e sotëm të Qeverisë në Kosovë për të hequr masat e reciprocitetit. Heqja e shpejtë e pengesave për vazhdimin e dialogut të ndihmuar nga BE-ja tregon përkushtimin e qartë të Kosovës për t’u kthyer në tavolinë pa vonesa”. /tesheshi.com/