Nga Ahmet Zani
Vajza që ju shikoni në foto dhe që ne do t’ju flasim në këtë shkrim është Emrie Krosi nga Klosi i Burrelit. Është mjaft e fortë, intelektuale e zonja, por historia e saj është tregues i qartë i vajzës të cilën shpresa e madhe e ka bërë atë të rrallë.
Ajo që bën më shumë përshtypje është performanca e saj në një aktivitet të një shoqate në qytetin e Durrësit disa ditë më parë. Teksa shpërndaheshin çmime të poezisë të këtij aktiviteti Emi, siç dhe e thërrasin miket e saja, ashtu me pak mundim, ka preferuar të zërë podiumin e konferences së poezisë për të dërguar urimet për nderin që vlerësuan poeten nga Burreli.
Me disa fjalë që asaj i buronin nga thellësia e shpirtit, ajo është ndërprerë nga duartroktitjet e të pranishmëve. Kjo ishte meritë e vajzës 35 vjeçare që sot banon në kryeqytet ndërsa dhe kafenë në mëngjes e shoqëron duke lexuar libra të shkrimtarëve vendas dhe të huaj, sigurisht atyre të dëgjuar.
Ajo që befason është panorama që Emi solli në aktivitetin kulturor në Durrës. Në një bashkëbisedim me këtë poeteshë në një nga baret e Durrësit, bën përshtypje vendi që ajo zgjedh për të komunikuar me gazetarin e ‘tesheshi’. Është një vend i rrethuar nga hijeshia e luleve.
Një kafe dhe ujë ishte porosia e saj sakaq kjo e shoqëruar me një cigare. E pyetur nëse e pi duhanin, ajo tregon se vetëm tre cigare në ditë dhe kështu do të vijonte dhe historia e saj që në vogli.
“Jam rritur thuajse jetime pasi mamaja është ndarë nga jeta kur isha vetëm pesë vjeçe. Varfëria është shtuar akoma, sidomos nga humbja e nënës, ndërsa ishim tre fëmijë të vegjël. Babai duhej të martohej sërish. Për këtë fakt ka menduar më shumë gjyshi ynë Halili. Ai ishte njeri shumë i zgjuar, punëtor shumë besimtar, por dhe paksa i ashpër. Kështu një tjetër nënë duhej të na rriste”,- tregon Emi.
Ajo rrëfen se kjo nënë e dytë lindi plot gjashtë fëmijë të tjerë dhe shtëpia u mbush. Për raportin me njerkën, Emi tregon se e ka vlerësuar si motër, pasi mosha e saj ishte shumë e re kur erdhi në shtëpinë e babait të poetshës, dhe bashkë me gjyshen, në atë familje u rritën plot dymbëdhjetë fëmijë.
Ndërsa pi kafen, vajza tregon se pasi mbaroi shkollën tetë vjeçare më nota të shkëlqyera, mundësitë për të vijuar arsimimin ishin minimale, pasi duhej të punonte për të ushqyer motrat dhe vëllezërit më të vegjël.
Për të ndjekur shkollën e mesme vajzës i duhej të udhëtonte shumë rruga deri në qytetin e Klosit. Kjo nuk ja vështirësonte iniciativën Emit, e cila ndoqi më tej shkollën me shumë vështirësi, nga kushtet ekonomike të familjes.
Ishin katër vite që ndoqi arsimin e mesëm nëpërmjet shumë vështirësive, sidomos nga rruga e gjatë në stinën e dimrit. Gjuhë- letërsia ishin pasioni i saj më i madh, sigurisht pa lënë mënjanë lëndët e tjera.
Për të studiuar në shtëpi kushtet i mungonin, pasi duhej të merrej me shumë punë dhe koha për të ndjekur librat ishte pasi të gjithë të flinin. “Në pjesën më të madhe të kohës, ndonëse isha vetëm 15 vjeçe, duhej të gatuaja, të merresha me bagëtitë duke u aktivizuar me punët e shtëpisë.
Emi tregon se gjyshi ndonjëherë i jepte më shumë liri që ajo të merrej me librat, dhe për të ishte shumë e vështirë të ndërtonte jetën në të tilla kushte familjare, por me vendosmëri dhe ndihmë nga gjyshi, ajo arriti të përfundonte shkollën e mesme pedagogjike, që më pas të gjente një vend pune në arsim.
“Unë isha e sigurt se do të përfaqësohesha një dikushi dhe nuk mund të harroja një mësues nga Tirana që më vlerësonte e madje më ndihmonte ,sepse dhe unë kërkoja më shumë njohuri tek lëndët mësimore”,- rrëfen poetesha.
Ajo vijon duke treguar se përfundimi i arsimit në shkollën e mesme i mundësoi të niste dhe një punë në shkollën e fshatit me ciklin e ulët. Ishin fillimet e zhvillimeve demokratike në vendin tonë, ndaj ajo, si një mësuese pa përvojë por me bindje të forta se fëmijët kërkonin impenjim, i kërkonte vetes ti përkushtohej punës me shumë pasion.
Emi rrëfen edhe një moment lumturie për të, gjatë punës në arsim. “Nuk kaluan as dhe tre muaj nga nisja e punës në shkollë ndërsa një grup kontrolli erdhi për të vlerësuar punën e çdo mësuesi. Unë, mësuesja më e re, rezultova me sukses dhe kam ndier kënaqësi, por dhe drejtori i shkollës tregohej vlerësues për detyrën time”,- thotë ajo.
Por krahas momenteve të gëzimit e atyre të hidhërimit, Emi rrëfen edhe momentin më të keq e tragjik në jetën e saj.
Ishte muaj nëntor i vitit 1992, kur vajza e re në atë kohë kishte vetëm tre muaj punë si mësuese. Teksa shoqërohej me një tjetër kolege për të arritur në shkollë, duhej të kalonte pranë një ure disi të gjatë por, shumë të lartë. Rreziku ishte për të gjithë banorët nga amoritizimi i saj, ndërsa Emi tregon se atë ditë i gurgullonte brenda kraharorit dhe nuk ndihej mirë.
Edhe kolegia e Emit nuk kishte besim tek kjo urë me dërrasa të kalbura dhe pak nga akulli nga temperaturat e ultëa që mbart kjo zonë në fundin e këtij nëntori.
“Unë vendosa që të kaloja mbi këtë pasarelë. Sapo kalova pak metra, një dërrasë e thyer do të bëhej dhe shkaku që të rreshkisja duke rënë rreth 8 metra poshtë urë, në gurët e lumit. Mësuesja tjetër që shoqërohej me mua lëshoi zë të lartë dhe një burrë që ndodhej me shtëpi aty pranë më ka ardhur në ndihmë duke më dërgua në spitalin e Burrelit”,- rrëfen ajo.
Në spital mungonin mjekët specialistë, medikamentet, por ç’është më e keqja nuk e dërguan për trajtim më të specializuar në një nga spitalet e Tiranës. Mjekët në Burrel ende nuk përcaktonin diagnozën e saktë ndonëse kaluan plot tre javë dhe gjendja e Emit përkeqësohej. “Gjendja fizike dhe shëndetësore ishte drejt rënies. Prindërit nuk kishin mundësi të bënin ndërhyrje tek mjekët nga mungesa e të ardhurave. Për mua po humbnin shpresat mbase dhe për të jetuar. Isha vetëm 18-vjeç dhe askush nga bluzat e bardha nuk merrnin ndonjë mundim për të më shëruar”,- kujton Emi.
Vajza tregon se pas tre javësh u dërgua në një spital në Tiranë duke menduar se është zbuluar diagnoza e saktë pas aksidentit që pësoi pranë objektit të dijes, por dhe në kryeqytet mjekët dështuan.
“Nuk e kam mësuar që nga viti 1992 dhe deri më sot përse mjekët nuk zbuluan diagnozën. Vetëm një fjalë tregonin ata: ka thyer shtyllën kurrizore dhe nuk mund të rikuperohet. Këtë lajm mjekët ma komunikuan dhe mua por unë nuk besoja tërësisht. Dhe unë kërkova tek vetvetja një eksperimentim për t’u ngritur në këmbët pa ndihmë e askujt. Kjo ishte shumë e vështirë, ndërsa tek krahët kisha shumë forcë dhe kjo me më inkurajonte për më tej”,- rrëfen për ‘tesheshi” dramën më të madhe të jetës së saj.
Kjo vajzë e fuqishme nga 15 vite është zhvendosur nga fshtrat e Burrelit pranë kryeqytetit në ëndrrën e saj të siguronte një punë, ndonëse dyert e institucioneve janë hapur për Emin por asnjë nuk ka siguruar ndonjë punë edhe pse ka kryer arsimimin e lartë gjuhë letërsi, master shkencor dhe pret të ndjekë dhe doktoraturën. Kjo vajzë e rrallë ka një dritë jeshile pas kaq vitesh në një operacion në një klinikë italiane, ku asaj i kanë premtuar sukses.
Atë që nuk arritën mjekët tanë prej 23 vitesh nga aksidenti, premtimet i vijnë nga kjo klinikë italiane e cila pret një dhuratë në përmirësimin e plotë të asaj që e mundon nga kaq vite Emin, e cila ka sjellë për lexuesit disa poezi.
Disa ditë më parë, bashkë me Emin gazetari i ‘tesheshi’ ishte në fshatin e saj të lindjes, nga ku ajo solli kujtimet që nga fëmijëria, ndërsa ëndrra nuk u vijua ashtu siç e kishte menduar kjo vajzë. Në fund të gjithçkaje, ajo duhet të marrë vëmendjen dhe ndihmën e shtetit./tesheshi.com/