Nga Blendi Gashi
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) që nga vdekja e liderit të saj historik Ibrahim Rugova në janar të vitit 2006-të, përveç që ka pësuar në vazhdimësi rënie dhe nuk ka arritur të dalë partia e parë në Kosovë, poashtu është përballur me përçarje të brendshme të cilat vazhdojnë edhe sot.
Gjithçka nisi me Kuvendin e famshëm të ‘karrigeve’ kur u zgjedh në krye të partisë Fatmir Sejdiu dhe partia u nda, ku si pasojë u formua tashmë ish-partia Lidhja Demokratike e Dardanisë.
Ky ishte veç alarmi i parë se nuk po e presin ditë të mira partinë që dikur e udhëhiqte intelektuali i urtë Ibrahim Rugova.
Përçarjet vazhduan më pas edhe në vitin 2010-të kur Isa Mustafa edhe pse thoshte se nuk do të garonte për të parin e LDK-së në momentin e fundit hyri në garë dhe mposhti Fatmir Sejdiun.
Ky i fundit që nga ky moment në vijimësi kritikoi ashpër Mustafën për tradhëti, kritika që i bën edhe sot.
Edhe herën e dytë kur Mustafa rifitoi postin e të parit të LDK-së pati shumë pakënaqësi në këtë parti ku disa figura nga diaspora nuk u lejuan as të hynë në sallën ku mbahej Kuvendi i partisë.
PDK trazoi ujërat në LDK
Për të mbajtur në situatë të tensionuar, të acaruar dhe përçarë LDK-në u përkujdes Hashim Thaçi dhe partia e tij PDK.
Isa Mustafa i cili u ngrit në parti duke akuzuar SHIK-un dhe duke thënë se nuk do të bënte në asnjë variant koalicion me PDK-në, nuk e mbajti fjalën, tradhëtoi koalcionin VLAN dhe u përqafua me “armikun” e tij Thaçin.
“Martesa” PDK-LDK, ngjalli reagime të ashpra nga disa figura të LDK-së, kryesisht deputetë të rinj të kësaj partië të cilët pohuan se me lidhjen e koalicionit me PDK-në u tradhëtua elektorati i partisë për çka edhe fajësuan Mustafën se po e shkatërron LDK-në.
Dëshpërimi ishte aq i madh sa që disa nga deputetët e LDK-së si Vjosa Osmani, Arben Gashi e disa të tjerë, nuk e votuan Isa Mustafën për kryeministër, gjë që ky i fundit që në fjalimin e parë si shef qeverie paralajmëroi hakmarrjen ndaj deputetëve në fjalë.
Dhe, ashtu ndodhi. Vjosa e Arbeni dhe disa të tjerë mbetën jashtë strukturave të larta të LDK-së por edhe jashtë kabinetit qeveritar.
Thaçi sërish në skenë, LDK në hallakamë
Për të mos lënë rehat në asnjë moment LDK-në dhe për të rritur edhe më shumë pakënaqësitë në këtë subjekt, u përkujdes Hashim Thaçi, njeriu i cili për vite të tëra kundërshtoi Ibrahim Rugovën dhe nuk u ndal për asnjë minutë së punuari derisa e çoi LDK-në në opozitë.
Goditja e radhës për LDK-në ishte rehatimi i Hashim Thaçit në karrigen e presidentit dhe atë me votat e LDK-së.
Deputetët e LDK-së përjashtuar pesë prej tyre ja bën kuorumin Thaçit dhe i dhanë votën duke e rehatuar për pesë vitet e ardhshme në karriegen që dikur ulej i ndjeri Ibrahim Rugova.
Përplasen Isa Mustafa dhe Adem Salihaj
Zgjedhja e Thaçit në krye të Presidencës ka rikthyer përçarjet në LDK për çka ka bërë Isa Mustafën të reagoi ndaj deputetëve të LDK-së, të cilët dje nuk ishin në Kuvend.
Mustafa përmes një postimi në Facebook ka thumbuar më së rëndi Vjosa Osmanin e cila raportohet se dje nuk ka qenë në Kosovë pasi ka udhëtuar në Australi. Mustafa duke thumbuar pesë deputetët e partisë së tij pra, Vjosa Osmanin, Anton Çunin, Adem Salihajn, Shpejtim Bulliqin dhe Hetem Baxhakun ka thënë se deputetët që ishin prezent në sallë respektuan votën e qytetarëve.
“Dje, derisa VV po bënte terror mbi institucionet e Republikës së Kosovës, derisa ma sulmonin shtëpinë me shishe molotovi, pyeta ku janë edhe disa deputet që kanë marrë vota në emër të LDK-së, sepse nuk shiheshin se janë me shumicën e kolegëve të tyre. Frikohesha se janë zënë peng në çadrat e VV. Por, jo! Dikush më tha se i kanë frikësuar, e tjetri se kanë fluturuar, me marrë udhëzime në çadrat e verës australiane. Kryesorja që janë gjallë! Ata që e respektuan votën e qytetarëve ishin në Parlament. Nuk u frikësuan”, ka shkruar Isa Mustafa.
Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i deputeti Adem Salihaj i cili duke iu kundërpërgjigjur Mustafës, thotë se fytyra nuk i bie copë askujt.
“NJË PËRGJIGJE PËR NJË POSTIM
Dje,kur po mbahej seanca e zgjedhjes së Thaçit president,disa nga ne deputetët nuk ishim aty,sepse na thirri ndërgjegja jonë dhe zëri e elektoratit të LDK-së,të cilit i ishim betuar sa e sa herë se kurrë nuk do të bëjmë koalicion me PDK-në dhe kurrë nuk nuk do ta votojmë Thaçin president. Siç e dinë të gjithë, LDK-ja gjithmonë e ka mbajtur Thaçin përgjegjës për vrasjen e njerëzve më mirë e më atdhetarë të LDK-së dhe të Kosovës. Kur rezultati nuk po shkonte në favor të zgjedhjes së Thaçit president dhe deputetët e LDK-së po mundoheshin të luftonin me ndërgjegjen e tyre,përnjëherë u zbraz salla e kuvendit dhe nuk mbeti asnjë deputet aty. Ku shkuan,ku i dërguan,a i zuri peng SHIK-u diku në një skutë të kuvendit dhe po u kërcënohej se do t’ua bënte më zi se atyre tjerëve ? Megjithatë, në fund u kthyen,ndonëse me fytyra të zbehura. E votuan Thaçin me shumicë dërmuese votash.I lumtur per këtë,i pari ia uroi Isa Mustafa,kryetari i LDK-së. Deputeteët e LDK-së dolën nga salla pa duartrokitur dhe kokulur. Por, thashë, së paku,mirë që janë gjallë. Se fytyra nuk i bie copë askujt,thotë populli”, i është kundërpërgjigjur Salihaj kreut të partisë së tij.
Kurse, deputeti Shpejtim Bulliqi i cili poashtu nuk ishte prezent në seancën kur u zgjodh Thaçi president ka thënë se ai ka respektuar vullnetin e qytetarëve dhe jo të individëve apo grupeve të interesit.
“Duke u mbështet në dhjetëra mija mesazhe tuaja përkrahëse të pranuara dje dhe sot, për qëndrimin tim ndaj situatës politike në Kosovë, e në veçanti me rastin e zgjedhjes së presidenti të Kosovës, shfrytëzoj rastin të ju falënderoj dhe njëherë të ju garantoj se gjithnjë do të respektoj vullnetin tuaj, dhe asnjëherë atë të individëve apo grupeve të interesit për të ruajtur benifitet e tyre në dëm të Kosovës. Vota e marr nga ju më shtynë që të punoj në vazhdimësi për mbrojtjen e vlerave Rugoviane të LDK-së, për një shtet sovran, pa krim të organizuar, pa korrupsion dhe në frymën euro-atlantike”, është shprehur Bulliqi.
Ndryshe, votimi i deputetëve të LDK-së për Thaçin në president po komentohet në rrjetet sociale si tradhëti që i është bërë elektoratit të LDK-së. /tesheshi.com/