Një zyrtar i lartë i Hamasit i zbuloi portalit Drop Site se i dërguari special i Donald Trump, Steve Witkoff, premtoi se dy ditë pas lirimit të qytetarit amerikan dhe ushtarit izraelit Edan Alexander, administrata Trump do ta detyronte Izraelin të hiqte bllokadën e Gazës dhe të lejonte ndihmën humanitare të hynte në zonë. Witkoff premtoi gjithashtu se Trump do të bënte thirrje publikisht për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe për negociata që synojnë arritjen e një “armëpushimi të përhershëm”.
“Ishte një marrëveshje”, tha Bassem Naim, një anëtar i byrosë politike të Hamasit, i cili më parë kishte zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me zyrtarë amerikanë. Ai tha se angazhimi u bë nga “Witkoff, personalisht”.
Në një intervistë me Drop Site, Naim tha se marrëveshja ishte: “Nëse e lirojmë [Alexander-in], Trump do ta falënderojë Hamasin për gjestin e tij, duke e detyruar Izraelin të hapë kufijtë të nesërmen dhe të lejojë që ndihmat të hyjnë në Gaza, dhe [Trump do të] bënte thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe negociata për t’i dhënë fund luftës.”
“Ai nuk bëri asgjë nga këto”, shtoi Naim. “Ata shkelën marrëveshjen,” tha Naim.
Lirimi i Alexander-it, i cili u kap nga luftëtarët palestinezë më 7 tetor 2023, ishte një ngjarje e rëndësishme: Ai ishte ushtari i parë i liruar nga Hamasi që nga fillimi i luftës 19 muaj më parë.
Hamasi tha se e liroi atë si një “gjest vullneti të mirë” ndaj Trump dhe sepse besonte se kishte marrë një premtim se lirimi i Alexander-it do të rezultonte në shpërndarjen e menjëhershme të ushqimit, ilaçeve dhe karburantit në Gaza. /tesheshi.com/