Të paktën 39 njerëz, përfshirë pesë fëmijë, janë vrarë në valën e fundit të sulmeve ajrore dhe bombardimeve në dhe rreth qytetit sirian të Halepit, njofton Al Jazeera.
Dëshmitarët dhe aktivistët thonë se sulmet ajrore të premten shkatërruan dy spitale të grave në Halep dhe krahinën e Idlibit, ndërkohë që një ofensivë e përtërirë e qeverisë për të vënë nën kontroll qytetin e Halepit nga luftëtarët e opozitës është shtrirë në ditën e dhjetë tashmë.
Si Siria ashtu edhe Rusia kanë mohuar përfshirjen në bombardime.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka thënë se sasitë e karburantit janë shumë të vogla në qytetin e rrethuar, ndërkohë që banorët pritet të përballen me një dimër të ashpër pa ngrohje dhe energji elektrike, dhe me shtrenjtim të çmimeve të ushqimeve.
Disa banorë thonë se mishi tani kushton 50 dollarë për kilogram, në krahasim me 9 dollarë sa ishte katër muaj më parë.
Mohamed Shbeeb, një gazetar i pavarur i bllokuar brenda qytetit të rrethuar, thotë se kushtet në Halep janë përkeqësuar përnjëherë.
“Që nga orët e hershme të ditës së shtunë, aeroplanët luftarakë rusë sulmuan qytetin. Shumë njerëz u vranë. Në 10 ditët e fundit në këtë fushatë, më shumë se 500 njerëz janë vrarë nga sulmet ruse ajrore dhe raketat balistike,” tha ai.
“Të gjitha spitalet në qytet janë jashtë shërbimit. Pra, të plagosurit janë një rrezik për shkak se ekziston vetëm një ndihmë shumë e kufizuar mjekësore në dispozicion. Situata po bëhet çdo ditë e më e keqe. Furnizimet ushqimore pothuajse janë harxhuar. Të gjitha dyqanet janë të mbyllura. Disa njerëz shesin perime të cilat ata i kanë kultivuar në kopshtet e tyre. Nuk ka ushqim tjetër në dispozicion”.
Të premten, Raed al-Saleh, kreu i Mbrojtjes Civile Siri, apo Helmetave të Bardha, tha se banorët në lindje të Halepit kanë më pak se 10 ditë kohë për të pranuar ndihmat, ose në të kundërtën do të përballen me urinë dhe vdekjen nga mungesa e medikamenteve.
Grupit vullnetar, i cili punon në territorin e kontrolluar nga ana e opozitës dhe i cili ka shpëtuar mijëra njerëz nga ndërtesat e bombarduara në luftën civile, po i mbarojnë pajisjet themelore, prej kamionëve deri te nafta dhe gaz-maskat.
Me acarin e dimrit që po afrohet gjithnjë, rreth 275.000 njerëz janë bllokuar në Halepin lindor, ku racionet ushqimore të fundit të OKB-së janë shpërndarë më 13 nëntor.
Luftëtarët anti-qeveritare në Halepin lindor kanë rënë dakord për një plan për dërgesat e ndihmës dhe evakuimet mjekësore, sipas zyrtarëve të OKB-së, por ata janë në pritje të një “drite jeshile” nga Rusia dhe qeveria siriane para se të mund të fillojnë operacionet.
Jan Egeland, kreu i një task-force të mbështetur nga OKB me detyrë humanitare për Sirinë, tha të enjten se ekipi i tij kishte marrë miratimin me shkrim nga luftëtarët dhe një “mbështetje verbale” nga Rusia për planin e OKB-së, të arritur në fillim të këtij muaji.
Plani me katër pika përfshin furnizimin e ndihmës mjekësore dhe ushqimore, evakuimin e 200 civilëve të plagosur ose atyre me aftësi të kufizuara, dhe rotacionin e personeli mjekësor brenda dhe jashtë zonave të rrethuara. /tesheshi.com/