Pas rihapjes së Hagia Sophia-s në Stamboll si xhami, muslimanët në Athinë kanë frikë se hapja e pritshme e të parës xhami në kryeqytetin grek do tw shtyhet sërish. Ajo pritet për më shumë se një dekade për t’u bërë realitet.
Projekti për të hapur një xhami në Athinë të njohur zyrtarisht nga shteti filloi në vitin 2007.
Por projekti hasi menjëherë në kundërshtime të forta nga Kisha Ortodokse dhe grupet nacionaliste në vend.
Athina është i vetmi kryeqytet në Europë që nuk ka xhami.
“Unë mendoj se pas këtij zhvillimi (rihapjes së Hagia Sophia-s si xhami), do të jetë edhe më e vështirë të hapet një xhami e njohur zyrtarisht, të cilën kemi dhjetë vjet që e presim,” thotë imami Atta-ul Naseer, i cili drejton një vendfalje të imporovizuar në një apartament në qendër të Athinës.
Hagia Sophia, një mrekulli arkitekturore e shekullit të 6-të dhe ish-bazilikë bizantine, u shndërrua në një xhami në 1453 pas marrjes së Stambollit nga osmanët.
Në 1934, monumenti u shndërrua në një muze.
Por në korrik të këtij viti, Gjykata e Lartë në Turqi vendosi që Hagia Sophia të rikthehej në xhami, duke shfuqizuar dekretin e qeverisë së 1934-ës.
“Xhamia mbetet xhami”
“Unë mendoj se një xhami duhet të mbetet xhami. Ajo nuk duhet të bëhet kishë apo diçka tjetër. Ashtu siç të krishterët presin që Hagia Sophia të mbetet kishë, edhe muslimanët presin të njëjtën gjë,” thotë Imam Naseer.
Një xhamia zyrtare në Athinë, pa minare dhe nën mbikëqyrjen e shtetit grek, pritet të hapet diku nga fundi i vjeshtës në rrethin industrial të Elaionas, në veri-lindje të Athinës.
Ndërkohë, për të përmbushur kërkesat e një komuniteti musliman prej afro 300,000 vetësh, vitet e fundit janë hapur disa xhami të improvizuara në apartamente apo bodrume.
Naseer beson se xhamitë historike osmane në Athinë, si ajo në sheshin qendror Monastiraki që është shndërruar në një muze, mund të kishte shërbyer shumë mirë si vend adhurimi për muslimanët.
Vetë Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ia ka propozuar këtë ide liderëve grekë në të kaluarën.
Por tema është delikate në një vend i cili ka qenë e pjesë e Perandorisë Osmane për shekuj, përpara se të fitonte pavarësinë e tij në shekullin XIX.
Ndjenjat anti-turke
Në Greqi, ndjenjat anti-turke mbeten të forta dhe tensioni aktual midis dy vendeve për migracionin dhe eksplorimin e energjisë në Mesdheun lindor e ka forcuar këtë armiqësi.
“Në zemrat greke, muslimani shihet akoma i lidhur me pushtuesin turk”, vëren Naseer.
Duke jetuar në Greqi për shtatë vitet e fundit, imami i lindur në Pakistan është përballur me racizëm dhe ndonjëherë edhe dhunë nga militantët neo-nazistë.
“Por në përgjithësi, të krishterët dhe muslimanët jetojnë së bashku në paqe,” thotë ai.
Në përpjekje për të rregulluar xhamitë e improvizuara, shteti grek ka vendosur rregulla të rrepta.
Operatorët duhet të regjistrojnë emrin e përfaqësuesit fetar dhe prejardhjen e tij, numrin e adhuruesve të rregullt dhe burimet e të ardhurave të institucionit.
Sallat e lutjeve gjithashtu duhet të përmbushin standardet e sigurisë, të cilat përfshijnë të paturit e një alarmi zjarri, ambiente sanitare dhe një dalje emergjente.
“Procedurat janë të ndërlikuara dhe marrin kohë. Pak xhami kanë marrë leje nga ministria,” thotë Naseer.
“Sidoqoftë, shamia zyrtare që shteti grek dëshiron të hapë është larg nga qendra e Athinës, ku jetojnë shumë refugjatë muslimanë dhe mund të strehojnë vetëm 350 njerëz.”
Të vetmet xhami që datojnë nga epoka otomane që aktualisht veprojnë në Greqi janë të vendosura në rajonin kufitar me Turqinë, në Thrakë, ku jeton një pakicë turke me 150,000 njerëz. /tesheshi.com/