Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn, do të zhvillojë sot një vizitë në Serbi ku pritet të ketë takime të nivelit të lartë.
Eurodeputeti Hahn do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, kryeministren Ana Bërnabiç, ministrin e Jashtëm, Ivica Daçiç dhe me atë të Integrimit Evropian, Jadranka Joksimoviç.
Në prag të vizitës në Beograd, Hahn deklaroi se Serbia ka perspektivë të fuqishme evropiane, e cila nuk është vënë në pikëpyetje, por shpejtësia e zhvillimit të negociatave inkuadruese do të varet nga ritmi i zbatimit të reformave, para së gjithash në sferën e qeverisjes së shtetit të së drejtës, si dhe nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.
Në deklaratën për gazetën “Veçernje novosti”, Hahn vlerësoi se iniciativa e Vuçiç për fillimin e dialogut të brendshëm për Kosovën paraqet “lëvizje të guximshme dhe të mirëpritur”.
Ai edhe njëherë theksoi se pjesa e rëndësishme e negociatave për anëtarësimin e Beogradit në BE është edhe normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, i cili sipas tij, do të kontribuojë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe do të garantojë mbrojtje të të drejtave të të gjithë qytetarëve. /tesheshi.com/