Sistemi i drejtësisë në Kosovë edhe 17 vjet pas luftës konsiderohet më i dështuari. Ndonëse në vend ndodhën shumë vrasje enigmatike, sidomos të zyrtarëve të lartë të LDK-së, vrasësit asnjëherë nuk u zbuluan, ashtu si edhe atentati që iu bë presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova në vitit 2004.
Pavarësisht këtyre dështimeve, për presidentin aktual Hashim Thaçi, sistemi i drejtësisë për punën e suksesshme në vitet e fundit.
“Sistemi i drejtësisë është ngritur nga zeroja duke ngritur kapacitetet dhe infrastrukturën ligjore. Çdo ditë po shohim rezultate konkrete në instalimin e rendit dhe ligjit. Ftoj të gjithë qytetarët që të bashkohen në vlerësimin e tyre të sistemit të drejtësisë. Gjithsesi mund të bëhet edhe më shumë”, ka thënë fillimisht Thaçi.
Ndonëse shumica e këtyre vrasjeve por edhe atentati ndaj Rugovës më pas iu mveshën partive të pasluftës, konkretisht Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), por që zyrtarët e kësaj të fundit vazhdimisht i mohuan këto akuza, presidenti Thaçi sot në konferencën për media i vetëdijshëm se mund të pyetej nga gazetarët se “a ka gisht PDK në vrasje e pasluftës”, ai menjëheri pasi foli atë që deshi u largua dhe nuk pranoi pyetje të gazetarëve.
Thaçi për më tepër përmes konferencës së sotme tregoi edhe një herë se ai është i “forti” i shtetit, pasi për temat që foli presidenti duhet të flasin më shumë kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi e ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni.
Por Thaçi edhe një herë doli në skenë për të marrë meritat dhe të tregoi se krimet do zbardhen dhe në një mënyrë të lë një mesazh se partia e tij PDK (që tashmë zyrtarisht nuk është pjesë e saj) dhe ai personalisht nuk ka diç të bëj me vrasjet që ndodhën gjatë dhe pas luftës.
Por për një gjë të tillë sigurisht se drejtësia do ta thotë fjalën e saj herët a vonë.
“Kërkon zbardhjen e atentatit ndaj ish presidentit Ibrahim Rugova”
Hashim Thaçi, ish-kryeministër i vendit, sot në konferencë bëri të ditur se u ka dërguar 4 letra në adresë të Prokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial, për të inkurajuar që tu kushtojnë një vëmendje të veçantë krimeve të kryera në disa faza.
Në letrën e parë, presidenti Thaçi ka theksuar nevojën për t’u marrë me krimet e luftës të kryera në Kosovë gjatë luftës. “Rastet e njohura të krimeve të rënda të luftës, siç është masakra kundër familjes Jashari në Prekaz, masakra në Reçak, në Izbicë, në Abri të Epërme, në Krushë të Madhe, në Likoshan, në Mejë, në Dubravë, në Qyshk, në Lubeniq, në Grashticë apo kudo tjetër në Kosovë, duhet të marrin trajtimin e duhur nga drejtësia”, ka thënë Thaçi.
Në letrën e dytë, ai ka kërkuar që vëmendje t’u kushtohet edhe shumë krimeve serioze të kryera menjëherë paslufte apo në vitet e mëvonshme, siç janë vrasja e vëllezërve Bytyçi në qershor 1999, përpjekja për atentat kundër ish-presidentit Ibrahim Rugova në mars 2005, si dhe vrasja e disa personaliteteve publike. Por, edhe për rastet si ai në Grackë të Vjetër të Lipjanit, rasti në Gorazhdec të Pejës, ku u vranë dy fëmijë dhe rasti i sulmit në autobusin e ‘’Nish-ekspresit’’, në afërsi të Podujevës.
Në letrën e tretë, ka kërkuar që gjithashtu vëmendje e veçantë t’i kushtohet edhe krimeve monstruoze, siç ishte përdhunimi i personave, veçanërisht i grave dhe vajzave gjatë luftës në Kosovë, më 1998-1999, ku ka thënë se kjo plagë është mbajtur e heshtur mjaft gjatë.
Në letrën e katërt, presidenti Thaçi ka thënë se ka inkurajuar Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, që vëmendje e veçantë t’i kushtohet edhe zbardhjes të së vërtetës për shkatërrimin e trashëgimisë së përbashkët kulturore, religjioze dhe historike.
“Sipas studimeve të shumta, mbi 200 objekte apo thënë ndryshe mbi 40 për qind e objekteve të fesë islame dhe 5 kisha katolike janë shkatërruar apo dëmtuar në mënyrë sistematike nga ana e ushtrisë dhe policisë serbe. Po ashtu, edhe pjesë të trashëgimisë ortodokse serbe në Kosovë, të rëndësisë së veçantë historike, janë dëmtuar pas luftës. Deri sa jemi krenarë që gjatë luftës asnjë objekt që i ka takuar kësaj trashëgimie nuk është cenuar, pas luftës ka pasur disa dhjetëra sulme dhe shkatërrime të këtyre objekteve, nga individë apo grupe kriminale. Besoj se të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe komunitetet tjera sikur që është kisha ortodokse serbe, kanë nevojë për një mbështetje dhe inkurajim, duke dëshmuar qasje serioze të organeve të drejtësisë në zbardhjen e këtyre sulmeve të turpshme dhe kriminale”, tha Thaçi në konferencë, ku më pas u largua dhe nuk pranoi asnjë pyetje të gazetarëve, për çka këta të fundit reaguan duke kërkuar nga presidenti që të mos injoroi pyetjet e tyre, pasi e ka për obligim që t’i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve.
A është kryeprokuror Hashim Thaçi?
Konferenca e së hënës e mbajtur nga Thaçi ku foli për sistemin e drejtësisë, aspak nuk i ka pëlqyer aspak anëtarit të Këshillit Drejtues, dhe ish-deputetit të AAK-së, Shkumbin Demaliaj. Ai ka thënë se me këtë po ndodhë çudi e madhe dhe se Thaçi po e merr rolin e kryeprokurorit të shtetit me veprime të tilla.
“Po ndodhë çudia e madhe…!!! Hashim Thaçi po e merr rolin e Kryeprokurorit të vendit me konferenca të jashtëzakonshme..!!! Driblimi i jashtëzakonshëm në kohë të pakohë dhe i panevojshëm i Presidentit Thaçi për ti ikur përgjegjësisë publike me rrethanat e liga që ja ka shkaktuar Kosovës në të gjitha poret e (mos) zhvillimit të saj bashkë me bashkëpuntorët e tij..!!!
Do ti veçoja disa nga ato arsye për të cilat është dashur ti bënte transparente ai sot..!!!
Loja me buxhetin e Kosovës për çka ai sot me bashkëpunëtorët e tij Akuzohet nga ish Guvernatori i BQK – Hashim Rexhepi.
Klani “Pronto” a ishte nën përgjegjësinë e tij sepse ai është i përfshirë në biseda dhe ofendon publikisht bashkëpunëtorët e tij që pastaj largohen nga partia e tij nga ofendimet që ua bën(ofendime publike nga njeriu që sot është President i vendit..!!!
Pse ka nevojë të merret ai sot me këtë konferencë kur në marrveshje me LDK-në u ka dhënë Dikasteret e nevojshme lidhur me qështjet e hetimit të vrasjeve pas lufte eshe atë me kusht që MPB- ja e Skender Hysenit ti kryejë keto hetime..!!!!”, thuhet në reagimin e Demaliajt, bërë përmes një shkrimi në profilin e tij në Facebook.
Anëtari i AAK-së, më tej thotë se presidenti aktual po dëshiron me i qajtur me lot krokodilli veprimet kriminale që dyshohet se krejt janë aktivitete që i kanë kryer mekanizmat ilegale të krijuara prej tij dhe PDK-së dhe LDK-së (ShIK-u dhe SIA)..!!!
“Krejt çka dua me thënë në këtë shkrim është se Presidenti po dëshiron me na shitur mjegull edhe pse në kohë vjeshte..!!! Dhe e kisha lutur që mos të përzihen te institucionet e pavarura që janë Prokuroria dhe Gjykata por është detyrë që të përkrahen ato dhe të zbardhet secila e ligë që i ka ndodhur vendit tonë kryesisht nga këta pseudoinstitucionalistë kriminal dhe të korruptuar..!!!! Jepni dorëheqje sa më shpejt nëse vetëm edhe 1% ju ka mbetur ndjenjë për kthimin e shpresës së qytetarit të Republikës së Kosovës..!!!”, thotë Demaliaj. Përgatiti: Blendi Gashi – /tesheshi.com/