Shehrije Balaj, gruaja e parë që dëshmoi në Beograd kundër forcave serbe që e përdhunuan atë gjatë luftës në Kosovës, më pas u braktis nga autoritetet kosovare dhe ato serbe dhe u la të vuante, tregon për BIRN djali i saj. Haxhi Balaj mban mend që 5 maji 1999 ishte një ditë me diell dhe se nëna e tij Shehrija po mundohej të gjente diçka për drekë për familjen.
Atyre u kishte mbaruar mielli, ndër shumë gjëra të tjera që mungonin në ato ditë të vështira gjatë luftës në Kosovë. Nëna e tij, një grua rome, ishte në shtëpinë e tyre në fshatin Bllagaje, në komunën e Pejës, kur u dëgjuan të shtëna me armë. Ajo u tha fëmijëve të saj të qëndronin në shtëpi dhe të mos dilnin jashtë. Pak më vonë, një makinë policie serbe hyri në oborrin e tyre dhe katër policë me uniformë e morën atë dhe e çuan në një vend të panjohur. Në mbrëmje, ajo u kthye, e gjakosur dhe me të nxira në të gjithë trupin. Në vitin 2013, Shehrije Balaj u bë dëshmitarja e parë femër nga Kosova që dëshmoi se si u përdhunua, duke dhënë prova në gjyqin e ish-komandantit të Ushtrisë Jugosllave Toplica Miladinoviç dhe 10 të tjerëve në Beograd për krime lufte të kryera në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Lubeniq afër qytetit të Pejës, ku të paktën 100 civilë u vranë në prill dhe maj 1999.
Autorët e krimit ishin anëtarët e Njësisë 177 të Ushtrisë Jugosllave të njohur si “Çakallët”, të komanduar nga Nebosoja Miniç, i njohur ndryshe edhe si “Mrtvi”. “Çakallët” nuk u krijuan gjatë luftës në Kosovë. Ata kishin kryer tashmë masakra në Bosnje dhe Kroaci.
Shehrija identifikoi tre prej tyre në gjykatë – Srecko Popoviç, Boban Bogiceviç dhe Dejan Bulatoviç. Një grup luftëtarësh të njësisë “Çakallët” u dënuan në Beograd në 2014 me gjithsej 106 vjet burg, por gjykata serbe e apelit më pas e rrëzoi vendimin dhe çështja tani po rigjykohet. Ndërkohë, Shehrije Balaj vdiq në varfëri në shtator 2018, pasi vuajti për shumë vite nga sëmundje të ndryshme. Gjykata e Beogradit nuk u ofroi masa mbrojtëse viktimave dhe dëshmitarëve në gjyqin e njësisë “Çakallët, si edhe nuk u ofroi atyre këshillim apo mbështetje, tha djali i saj.
Në Kosovë, nënës së tij nuk iu dha as ndihmë dhe as përkrahje ekonomike. Dëshmia e saj për përdhunimin e saj nuk tërhoqi ndonjë vëmendje në vendlindjen e saj dhe ajo kurrë nuk u shtua në listat e ndonjë prej OJQ-ve të Kosovës që ofrojnë ndihmë për viktimat e përdhunimit gjatë luftës.
Halit Gashi, një tjetër dëshmitar në çështjen kundër “Çakallët”, të afërmit e të cilit u vranë në Pavlan, tha se gratë rome që u bënë viktima të përdhunimit gjatë luftës, si Shehrije Haxhi, nuk morën vëmendjen e duhur “për shkak të prejardhjes së tyre etnike”. “Unë jam në dijeni të rastit të saj. Është për të ardhur keq ajo që i ndodhi asaj gjatë dhe pas luftës”, tha Gashi. Haxhiu tha ndërkohë që gjykata e Beogradit nuk dha asnjë masë mbrojtëse për viktimat dhe dëshmitarët, apo t’u ofronte atyre ndonjë këshillim apo mbështetje. Pas dëshmisë së saj në Beograd, ai kujtoi se si shëndeti i nënës së tij u përkeqësua më tej.
“Ajo kishte shumë probleme shëndetësore. Trauma e luftës e përndiqte akoma. Dëshmoi dy herë në gjykatë dhe kjo ishte shumë e vështirë për të”, shpjegoi Haxhi. “Ajo shkoi dy herë në Beograd për të dëshmuar dhe kjo ishte shumë e lodhshme për të. Një herë humbi ndjenjat në gjykatë dhe e çuan në spital. Ballafaqimi me ata që e përdhunuan dhe ri sjellja në kujtesë e asaj ndodhie në sallën e gjyqit ishte tepër e padurueshme për të”, shtoi ai. Ai shtoi se familja e ka shumë të vështirë të kujtojë vuajtjen e nënës së tij. “Ajo vdiq në dëshpërim sepse askush nuk e njohu apo mbështeti atë, edhe pse ajo dëshmoi në gjykatë për përdhunimin”, tha ai. /BIRN/tesheshi.com/