Prokurorja e Gjykatës së Lartë, Efterpi Koutzamani ndërmori dy nisma pas pohimeve të ish-ministrit grek të Financave, Yanis Varoufakis se kishte planifikuar një sistem paralel bankar. Ajo dërgoi në Parlament dy padi, një kundër ish-ministrit të ndërmarrë javën e shkuar nga qytetarë privatë dhe së dyti, caktoi një koleg të saj për të përcaktuar nëse figura jo-politike duhet të përballen me akuza penale në lidhje me çështjen.
Lajmin e raporton gazeta greke Kathimerini e cila ishte e para që botoi regjistrimin e bisedave të Varoufakis me investitorët.
Paditë ligjore u ndërmorrën javën e kaluar nga disa bankierë e avokatë. Ato e akuzojnë ish-ministrin për tradhti në menaxhimin e bisedimeve me kreditorët dhe ekspozimin e shtetit grek ndaj pasojave të rënda.
Për shkak të imunitetit që mban, Variufakis nuk mund të paditet direkt e do të duhet që Parlamenti të vendosë për heqjen e imunitetit që ai të dalë përpara gjyqit.
Një padi e tretë pritet të shkojë në Parlament për procedimin e figurave jopublike të lidhura me çështjen Varoufakis e ato përfshijnë hakerim të dhënash private, shpërdorim detyre, shkelje të ligjeve monetare dhe përfshirje në organizatë kriminale.
Padia ka të bëjë me bashkëpunëtorët e ish-ministrit i cili gjatë një bisede telefonike me investitorët, detajoi planin e sistemit paralel bankar si dhe tha se kishte rekrutuar një mik të fëmijërisë, profesor në Universitetin Columbia për të hakeruar sistemin online të taksave të ministrisë së Financave. /tesheshi.com/