Gjykata e Apelit në SHBA ka rrëzuar kërkesën e presidentit Donald Trump për rivendosjen e masës së ndalimit të udhëtimit për emigrantët nga shtatë vende muslimane.
Dje, Departamenti i Sigurisë Kombëtare ka pezulluar zbatimin e urdhrit të presidentit Trump, pas bllokimit nga ana e gjykatësit federal James Robart.
Pas vendimit të Robart-it, Shtëpia e Bardhë u shpreh se do t’i përmbahej vendimit deri në momentin e ndërhyrjes së Departamentit të Shtetit. Por kërkesa e këtij departamenti është rrëzuar nga Gjykata e Apelit, e cila kërkoi që administrata e Trump të paraqesë më tepër argumente kundër hyrjes së refugjatëve. Afati për Departamentin e Shtetit është deri të hënën.
Sipas Avokatëve të Shtetit, ndalimi i hyrjes për emigrantët nga këto shtatë vende ishte jokushtetues.
Presidenti i SHBA nënshkroi pak ditë më parë ndalimin e emigrantëve nga Libia, Somalia, Iraku, Sudani, Siria, Jemeni, Irani, urdhër ky kundër të cilit u organizuan protesta nëpër SHBA dhe vende tjera të botës. /tesheshi.com/