Spektakël live në Mal të Zi. I gjithë vendi është përfshirë në një atmosferë reality show, ku po ndjekin gjyqin ndaj rusëve dhe serbëve që një vit më parë tentuan të vrasin ish-kryeministrin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviç.
Suzana Mugosha, anëtarja e Gjykatës së Lartë që drejton seancën e sotme ka vendosur që gjithçka të zhvillohet në praninë e kamerave.
Situata ka krijuar një turbullirë tek opozita filoruse e cila po proteston jashtë dyerve të gjykatës.
Avokatët kanë kërkuar që të zëvendësohet prokurori i çështjes, Milivoje Kataniç, pasi sipas tyre ai është tendencioz.
Vesna Medenica, kryetarja e Gjykatës së Lartë, ka mbrojtur vendimin për të dhënë live procesin ndaj pjesëtarëve të shërbimit sekret rus dhe bashkëpunëtorëve të tyre serbë, ish-krerë të forcave speciale, duke deklaruar se “publiku ka nevojë të dijë të vërtetën”.
Procesi do të vazhdojë edhe dy ditët e ardhshme, pra më 20 dhe 21 korrik.
Të akuzuar janë edhe dy prej krerëve të opozitës malazeze, Andrija Mandiç and Milan Knezeviç.
Prokuroria Speciale akuzon si kreun e tentativës për komplot qytetarët rusë, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov.
Si bashkëpunëtor i tyre është arrestuar edhe shoferi i Mandiçit, Mihailo Çadjenoviç, si dhe 9 shtetas serbë, ndërmjet të cilëve, ish-komandanti i xhandarmërisë, Bratislav Dikiç. /tesheshi.com/