Separatistët pro-rusë po planifikojnë të mbajnë referendume në pjesët e pushtuara të Ukrainës lindore, gjë që ka shkaktuar dënime të forta nga udhëheqësit perëndimorë.
Votimi do të hapte derën për një aneksim zyrtar të pjesëve të Ukrainës nga Rusia, shtatë muaj pas fillimit të pushtimit.
Kush do referendum?
Republika e vetëshpallur Popullore e Luganskut (LPR) dhe Donetskut (DPR), të cilat presidenti rus Vladimir Putin i njohu si shtete të pavarura pak para pushtimit, pretendojnë se do të mbajnë referendume për bashkimin me Rusinë nga 23 deri më 27 shtator.
Rajonet Kherson dhe Zaporozhye, të cilat Rusia nuk i ka njohur ende si shtete të pavarura, pretendojnë gjithashtu të mbajnë referendumet e tyre.
Rusia nuk kontrollon plotësisht asnjë nga katër rajonet dhe vetëm 60 për qind e rajonit të Donetskut është në duart e saj.
Sa territor do të humbiste Ukraina?
Rusia kontrollon më shumë se 90,000 kilometra katrorë, ose rreth 15 për qind të territorit të Ukrainës, që është afërsisht sa madhësia e Hungarisë apo Portugalisë.
Kremlini aneksoi Krimenë në vitin 2014.
Me atë territor dhe katër rajone të tjera të përmendura, Rusia do të merrte një territor sa shteti amerikan i Pensilvanisë.
Cila është rëndësia e referendumit?
Nëse Rusia vazhdon me planet për referendume dhe anekson katër rajone, Ukraina, ashtu si aleatët e saj, nga perspektiva ruse, do të luftonin kundër vetë Rusisë.
Kjo do të rrezikonte një konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak midis Rusisë dhe NATO-s, një skenar që presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se do të çonte në Luftën e Tretë Botërore, pasi anëtarët e NATO-s furnizojnë Ukrainën me armë dhe inteligjencë.
Me këtë, shtytja e nxituar e Rusisë për të aneksuar zyrtarisht një tjetër pjesë të madhe të territorit ukrainas mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm, vetëm disa ditë pas një disfate të madhe ushtarake ruse në Ukrainën verilindore.
Doktrina bërthamore e Rusisë lejon përdorimin e armëve bërthamore nëse vendi sulmohet nga armët bërthamore ose armë të tjera të shkatërrimit në masë, ose nëse ekzistenca e shtetit rus kërcënohet nga një sulm me armë konvencionale.
Nëse Ukraina nuk pranon të përfundojë luftën për territorin e saj të humbur, Rusia do të duhet të angazhojë forca të rëndësishme ushtarake për të mbrojtur rajonet e reja të aneksuara, të cilat ende nuk janë plotësisht nën kontrollin rus.
“Të gjitha këto inisiativa për referendumet aktuale janë një ultimatum absolutisht i qartë nga Rusia për Ukrainën dhe Perëndimin”, pohon Tatiana Stanovaya, themeluese e firmës së analizës politike R. Politik.
Çfarë thotë Ukraina?
Ukraina pretendon se kërcënimi i referendumeve është “shantazh naiv” dhe një shenjë se frika e Rusisë po rritet.
“Kështu duket frika nga disfata. Armiku ka frikë dhe reagon në mënyrë primitive”, thotë Andrij Jerak, shefi i kabinetit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba thotë: “Rusët mund të bëjnë çfarë të duan, por kjo nuk do të ndryshojë asgjë”.
Ukraina thotë se nuk do të ndalet derisa ushtari i fundit rus të dëbohet nga territori i saj.
Kievi thotë se nuk do të pranojë kurrë që Rusia të kontrollojë territorin e saj dhe po i bën thirrje Perëndimit që ta furnizojë atë me më shumë armë dhe armë më të mira, për të luftuar forcat ruse.
Çfarë ndodhi në Krime?
Konflikti në Ukrainën lindore filloi në vitin 2014, pasi presidenti pro-rus i Ukrainës, Viktor Janukoviç, u përmbys me një revolucion.
Pasi forcat ruse morën kontrollin e Krimesë më 27 shkurt 2014, ku popullsia ruse është shumicë, dhe e cila iu dorëzua Ukrainës gjatë ish-BRSS, më 6 mars u mbajt një referendum për bashkimin me Rusinë.
Udhëheqësit e Krimesë njoftuan se 97 për qind e votuesve shprehën dëshirën e tyre për t’u shkëputur nga Ukraina dhe për t’u bashkuar me Rusinë.
Më 21 mars, më pak se një muaj pas pushtimit, Rusia aneksoi zyrtarisht gadishullin.
Kievi dhe Perëndimi pretendojnë se mbajtja e referendumit ka shkelur Kushtetutën e Ukrainës dhe ligjet ndërkombëtare. /tesheshi.com/