Boksieri Gjetan Keta ka mundur turkun Turgay Uzun në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, duke siguruar titullin kampion interkontinental për peshat e mesme në versionin WBC.
Vetëm pesë raunde i kanë mjaftuar Gjetan Ketës për ta bërë kundërshtarin turk të tërhiqet e të pranojë humbjen. Presioni i ushtruar nga Keta me grushtimet e tij ka rezultuar i papërballueshëm për Turgay Uzun-in, që si zgjedhje ka gjetur tërheqjen.
Atmosfera në pallatin e sportit ishte tejet e ndezur, dhe pritja e gjatë e sportdashësve u shpërblye me fitoren e boksierit nga Bulqiza.
Ndeshja mes dy boksierëve do të niste vrullshëm nga Keta, për t’u balancuar në raundin e dytë dhe të tretë nga kundërpërgjigjet e rivalit turk. Në dy raundet pasuese, Keta i shtoi sulmet, duke bërë që Uzun-it t’i shteronin forcat e të pranonte humbjen.
Me fitoren e mbrëmshme, Gjetan Ketës i hapet rruga për të boksuar në ring dhe për titullin botëror. /tesheshi.com/