Dy dhomat e parlamentit gjerman mbajtën dje një sesion të përbashkët, në përkujtim të 70-vjetorit të kapitullimit të Gjermanisë naziste. Të pranishëm ishin kancelarja Angela Merkel dhe presidenti Joachim Gauck.
Në fjalën e tij, kryetari i parlamentit gjerman, Norbert Lammert, tha se 8 maji, dita në të cilën Gjermani kapitulloi, është një “ditë çlirimi” për gjermanët.
Lammert e çmoi lart gatishmërinë e fqinjëve të Gjermanisë për të falur.
“Sot ne kujtojmë miliona viktimat e një fushate të paprecedent shfarosjeje kundër kombeve dhe popujve të tjerë,” u shpreh Lammert.
“8 maji nuk ishte një ditë vetëçlirimi,” vazhdoi më tutje me tone autokritike kryetari i parlamentit, ndërsa vuri në pah se meritojnë të nderohen përpjekjet e dështuara të një numri të vogël gjermanësh për ta vrarë Hitlerin.
Lammert njohu meritën e trupave aleate kur theksoi se, “Kjo luftë nuk mori fund ngaqë Gjermania u çlirua me fuqinë e saj nga diktatura naziste. Ajo përfundoi sepse Gjermania u mund nga trupat aleate.”
Lufta pati filluar kur trupat e Hitlerit hynë në Poloni në shtator të 1939-s, dhe përfundoi formalisht kur feldmareshali nazist Wilhelm Keitel nënshkroi dorëzimin në mes të natës në shtabin e ushtrisë ruse në Berlin.
Kapitullimi i dha fund Luftës së Dytë Botërore në Europë, por konflikti vazhdoi në Azi deri në gusht të vitit 1945. /tesheshi.com/