Vetëm një orë pasi kishte bërë raportimin e fundit të drejtpërdrejtë nga terreni, Shifa Gardi u vra në Mosul prej shpërthimit të një bombe anës rrugës.
Gazetarja 30-vjeçare punonte për televizionin Rudaw, dhe humbi jetën gjatë luftimeve midis forcave qeveritare dhe militantëve të ISIS-it.
Ngjarja tragjike ndodhi në perëndim të Mosulit; kameramani që punonte me gazetaren u plagos nga shpërthimi, për t’u dërguar më pas në Erbil, ku e ka qendrën dhe televizioni irakian.
“Shifa Gardi ishte një prej gazetarëve më të guximshëm të Rudaw-it,” lexohej mes të tjerash në një deklaratë të televizionit ku ajo punonte.
Në ditët e para të ofensivës së Mosulit qe vrarë dhe një tjetër gazetar, Ali Raysan, i cili punonte për televizionin Al Sumaria TV.
Forcat irakiane hynë të premten për herë të parë, që prej nisjes së mësymjes, në lagjet e pjesës perëndimore të Mosulit. /tesheshi.com/