Nga Mensur Krasniqi
Policia e Maqedonisë ditë më parë ka zbuluar një fabrikë për falsifikim e letërnjoftimeve që do përdoreshin për falsifikimin e zgjedhjeve.
Por, përpos këtyre dokumenteve në kompjuterin e grupit të dyshuar kriminal u gjetën edhe 70 mijë biseda të inçizuara.
Gazeta “Dnevnik” thekson se bisedat në fjalë janë zhvilluar mes funksionarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim. Gjithashtu mësohet se ka biseda edhe mes përfaqësuesve të partive tjera shqiptare në Maqedoni.
‘Dnevnik’ shkruan se një komandant i UÇK-së është interesuar për t’i blerë bisedat që mund të inkriminojnë zyrtarët e lartë të partisë shqiptare në pushtet.
Se çfarë fshihet pas këtyre bisedave, mbetet të shihet në të ardhmen.
Të rikujtojmë se në emisionin e djeshëm të gazetarit Muhamed Zekiri në “Rruga e re” mysafir ishte kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, ku mes tjerash theksoi se në bazë të informatave që disponon ai, Prokuroria Speciale deri tani veçse ka ngritur padi penale për Bujar Osmanin, Musa Xhaferin dhe disa funksionarë të tjerë të BDI-së.
“Mendoj se janë ngritur padi penale për Bujar Osmanin, për Musa Xhaferin, gjithashtu edhe për disa politikanë në zonën industrial të Tetovës”, deklaroi Zaev.
Duke folur mbi indiferencën e partive shqiptare, BDI dhe PDSH, Zaev tha se edhe ata kanë përgjegjësi për të ardhmen e Maqedonisë.
“Nëse vazhdojnë të sillen kështu Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, pesë pare nuk duhet të vlejnë para votuesve të vetë. Ata nuk mund të jenë gjyshe memece në bisedimet e grupeve të punës, patjetër të flasin dhe ta mbrojnë interesin e atyre qytetarëve që votuan për ta dhe që nuk kanë votuar për ta”, përfundoi Zaev. /tesheshi.com/