Një dosje e re pritet të shqyrtohet së shpejti hollësisht, e është pikërisht ajo e politikanëve apo zyrtarëve shqiptarë që dyshohet se kanë transferuar pasurinë dhe janë pajisur me dokumente qëndrimi apo shtetësie në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo në vendet e Bashkimit Europian.
Bëhet fjalë për ata politikanë, gjyqtarë, prokurorë, apo zyrtarë të shtetit që e kanë “zbuluar” Amerikën përpara qytetarëve shqiptarë, të cilët paguajnë mijëra euro apo dollarë për të siguruar shkollimin dhe të ardhmen e fëmijëve në institucionet më të mira të Amerikës dhe Europës.
Një pjesë fituan lotarinë amerikane, një pjesë të tjerë dërguan fëmijët, disa të tjerë çuan gratë shtatzëna për të lindur fëmijët dhe për të marrë menjëherë shtetësinë e vendeve “elitë” që zgjodhën.
Por ka një pjesë tjetër që investuan dhe nisën një jetë të re atje pa u shkëputur nga Shqipëria, natyrisht, duke vazhduar biznesin dhe duke qenë të pranishëm në politikën shqiptare.
Lista është e gjatë, dhe e ka zanafillën që në vitin 1990, kur aktivizimi i një pjese të diasporës solli ardhjen e tyre me shpresën për të dhënë gjithçka për kombin. Por idealistët e vërtetë u ndaluan dhe u mënjanuan, pasi elita e Tiranës synonte që të mos hapte vend për hyrje të reja.
Por le ta marrim nga fundi, për t’i dhënë pak “freski” këtij argumenti, që pritet të hapet edhe me letra, jo të varur vetëm nga shpërthimi i “Panama Papers”-ave.
Mark Frroku është i pari ndër të gjithë grupin, e më problematiku. Ish-deputeti i Partisë Kristiandemokrate është shtetas amerikan, dhe kujtonte se ajo pasaportë do t’i shërbente si “carta biancha” për të gjithë zullumet që bëri dhe kishte në plan të bënte për t’i mbrojtur paudhësitë e para. Por emri i tij u përdor i pari nga Uashingtoni si problematik për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-ve. E njëjta gjë edhe për vëllain e tij, Arben Frroku, të cilin ambasadori i SHBA-së, Donald Lu, e përmendi me emër dhe mbiemër së bashku me Emiliano Shullazin.
Tom Doshi, deputeti i famshëm i Shkodrës, i zgjedhur nga radhët e Partisë Socialiste, por i përjashtuar më pas që andej, ka shtetësi australiane, bashkë më gruan dhe fëmijët. Ai ka jetuar për një kohë të gjatë në Australi, madje ka bërë edhe katandi andej. Por natyrisht ky aspekt nuk i shërbeu si mbrojtje.
Eduard Selami, deputeti i Partisë Demokratike, një nga nismëtarët dhe udhëheqësit e parë të saj, ka provuar emigrimin në vetë të parë në vitin 1995, kur shkoi të punojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka shtetësi amerikane, por u kthye në Shqipëri pas 18 vitesh, dhe ka krijuar një familje të re këtu.
Fidel Ylli, deputeti socialist i qarkut të Beratit, i cili njihet më shumë si sportist dhe biznesmen, e ka fituar llotarinë amerikane që në fundin e viteve 90, dhe një pjesë e familjes së tij jeton atje. Madje edhe vetë zoti Ylli e ka ndarë jetën mes SHBA-ve dhe Shqipërisë.
Luan Hajdaraga, ish-ministri i Mbrojtjes dhe ish-zv.ministri i Jashtëm, është një nga politikanët shqiptarë që gjithashtu ka “zbuluar Amerikën”. Familja e tij jeton atje pas marrjes së Green Card-ës, ndërkohë që zoti Hajdaraga, megjithëse ka pasaportën amerikane, ka preferuar të punojë në Shqipëri, tashmë jo si politikan aktiv, por si akademik.
Igli Toska, ish-ministri i Brendshëm në kohën kur kryeministër ishte Fatos Nano, është kthyer sërish këto ditë në Shqipëri pas një qëndrimi të gjatë në Gjermani, ku bashëshortja e tij punoi si pedagoge në Universitetin Amerikan të Qendrës Marshall.
Toska, në kohën kur drejtoi ministrinë e Brendshme, i rregulloi punët që fëmija e tij i parë të lindë në SHBA, natyrisht, që të marrë menjëherë shtetësinë amerikane.
I njëjtë është edhe rasti i Andis Harasanit, i cili jeton në Nju-Jork, madje ka edhe një biznes të ngritur atje pasi ka qenë drejtor i KESH-it dhe deputet i Parlamentit të Shqipërisë për dy mandate.
Kosta Barjaba, një ish-zyrtar i lartë qeveritar, para disa vitesh u shfaq në mediat amerikane pas një incidenti në një supermarket në Kaliforni, ku ndodhej bashkë me vajzën e tij, që jeton e studion në Amerikë.
Lista është mjaft e gjatë, dhe përmbledh gjyqtarë e prokurorë, si dhe punonjës të agjencive qeveritare.
E gjithë kjo dosje pritet të jetë pjesë e një shqyrtimi të gjatë, që u hap natyrisht me Mark Frrokun…
Gjithashtu, shtetësi të huaj ka edhe lideri i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, i cili, përveç se ka studiuar në Holandë, është edhe shtetas i këtij vendi, dhe familja e tij më së shumti jeton atje. /tesheshi.com/