Në një intervistë për Gazeta Bujku,zëvendësministri i Bujqësisë Mevludin Krasniqi ka thënë se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka përkrahur sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural me subvencione dhe grante investive. Investimet e ministrisë përmes Programit për Pagesa Direkte për vitin 2018 kanë arritur vlerën prej 25 milionë euro.
Ai po ashtu ka folur për taksën 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja që kanë pasur efekt të mirë në rritjen e prodhimeve vendore, e po ashtu ka bërë thirrje për konsumimin e tyre duke gjykuar se janë më të lira dhe më cilësore, që që kështu të rritet prodhimtaria dhe punësimi.
Z. Krasniqi, çfarë mund të thoni për vitin që po lëmë pas? A arritët t’i përmbushni objektivat e tuaja në MBPZHR?
Viti 2018 ka pasur përparësitë e veta por natyrisht edhe të metat, në përgjithësi janë përmbushur objektivat por ende ka mbetur punë për të bërë më shumë gjatë vitit të ardhshëm, sidomos në eliminimin e dobësive me të cilat jemi përballur. Viti 2019 do të ketë një dinamik të re gjithmonë në funksion të përmbushjes së kërkesave të komunitetit të fermerëve dhe agrobizneseve kosovare. Do të ketë qasje ndryshe sidomos në planin kohor të realizimit të projekteve të MBPZHR-së.
MBPZHR, gjatë këtyre viteve ka dhënë me qindra mijëra euro grante dhe subvencione. A është rritur prodhimi bujqësor?
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural vitet e fundit e ka përkrahur sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural me subvencione dhe grante investive. Investimet e ministrisë përmes Programit për Pagesa Direkte për vitin 2018 kanë arritur vlerën prej 25 milionë eurosh, ndërkaq në kuadër të këtij programi sivjet kanë qenë 25870 përfitues në sektorë të ndryshëm të bujqësisë. Ndërkaq përmes Programit të Zhvillimit Rural, gjegjësisht përmes granteve investive, gjatë këtij viti kemi përkrahur mbi 600 projekte të fermerëve dhe agrobizneseve në vlerë prej 22 milionë eurosh, ku tashmë jemi në fazën e implementimit të këtyre projekteve. Përmes kësaj mbështetje kemi arritur të ndikojmë në rritjen e prodhimtarisë bujqësore, rritjen e cilësisë së prodhimeve bujqësore, rritjen e punësimit dhe krijimin e të ardhurave në sektorin agroushqimor dhe shërbimeve rurale.
Pas taksës të vendosur nga Qeveria e Kosovës për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina është rritur prodhimi vendor por jo siç duhet të jetë për një shtet. Kur prodhimi bujqësor i Kosovës do t’i plotësojë nevojat e konsumit të brendshëm?
Unë besoj se tanimë efektet e kësaj mase kanë dhënë rezultatet e veta. Këtë e tregojnë më së miri edhe të dhënat nga Dogana e Kosovës por, natyrisht, kemi edhe shtim të konsumit të produkteve të prodhuara në Kosovë. Ne si ministri në programet tona zhvillimore edhe për vitin e ardhshëm kemi planifikuar masa të shumta përkrahëse për fermerët, agrobizneset, industrinë përpunuese ushqimore, përmes të cilave synojmë edhe më tej rritjen e prodhimtarisë vendore. Përveç të tjerash, thënë të drejtën, produktet tona janë të një cilësie të lartë dhe konkurruese në treg, ku e shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje qytetarëve të vendit tonë që të konsumojmë sa më shumë produkte “Made in Kosova”.
Ju shohim aktiv edhe në rrjetet sociale ku bëni thirrje për konsumimin e produkteve vendore, po ashtu vizitoni edhe fermerët. A janë vetëdijesuar qytetarët për t’i konsumuar produktet vendore dhe si është gjendja e fermerëve a ka përparime në zhvillimin dhe rritjen e cilësisë së prodhimeve bujqësore?
Vazhdimisht jam në kontakt me qytetarët dhe fokus grupet e caktuara, komunikimi dhe bashkëbisedimin me ta do ta vazhdojë gjithmonë, sepse puna dhe angazhimi im është në shërbim të tyre. Prodhimet vendore janë pjesë e shportës sime familjare dhe lirisht mund të them se janë edhe më të mira dhe më të lira. Jemi dëshmitar që çdo ditë e më tepër agrobizneset vendore me mbështetje të MBPZHR-së po investojnë në rritjen e cilësisë se produkteve vendore të cilat po bëhen pjesë e tregut rajonal e ndërkombëtarë. Qytetaret e Kosovës çdo ditë e me shumë po konsumojnë prodhimet vendore, të gjithë bashkë duhet që të punojmë në promovimin e tyre edhe gjatë vitit që vjen dhe më tej.
Sa pritet të jetë buxheti për vitin 2019 për Ministrinë e Bujqësisë dhe a do t’i plotëson kërkesat e sektorit ky buxhet?
Për vitin 2019 buxheti i ministrisë pritet të jetë 61.4 milionë euro, për subvencioneve do të ndahen 24.9 milionë euro ndërsa për grante investive 25.7 milionë eurosh. Besoj që ky buxhet i plotëson kërkesat e sektorit të bujqësisë. Gjithashtu, do të vazhdojmë bashkëpunimin edhe me partnerët ndërkombëtarë, për fuqizimin e mëtejmë të këtij sektori. Meqë jemi te buxheti, vlen të theksohet se brenda kapaciteteve buxhetore do t’i vazhdojmë investimet edhe në sistemin e ujitjes dhe në përmirësimin e infrastrukturës së vreshtave.
Z. Krasniqi, cilët sektorë do të jenë në fokus gjatë vitit 2019?
Ne si Qeveri, me politikat tona strategjike ndërsektoriale dhe në harmoni të plotë me politikat e përbashkëta bujqësore të Bashkimit Evropian, jemi të orientuar për rritjen e kapaciteteve të prodhimit dhe për krijimin e kushteve sa më të favorshme për prodhuesit vendorë, në mënyrë që të arrijmë një zhvillim të qëndrueshëm dhe t’u bashkëngjitemi trendëve zhvillimorë të vendeve të BE-së. Prandaj edhe sivjet përmes programeve zhvillimore synojmë ta rrisim eksportin e produkteve bujqësore, ku përmes granteve investive do t’i mbështesim fermerët dhe prodhuesit vendorë, përfshirë këtu edhe industrinë e përpunimit, pemët e imta dhe bimët mjekësore aromatike, si mundësi reale për rritjen e eksportit të produkteve bujqësore.
Për fund, z. Krasniqi, cilat janë prioritet e MBPZHR-së për vitin 2019?
Me politikat bujqësore zhvillimore, të cilat janë të bazuara në Strategjinë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Zhvillimin Rural 2014-2020, do ta vazhdojmë mbështetjen e sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural edhe në vitin që vjen, duke punuar edhe në drejtime të reja dhe përkrahje të fermerëve. Tashmë jemi në finalizim të Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural për vitin 2019 dhe në atë program, përveç masave të aplikuara më herët, do të fusim skema të reja të mbështetjes.
Intervistoi Shkëlzen Rrecaj – /tesheshi.com/