Ajo është 34 vjeçare nga Prizreni, nënë e dy fëmijëve dhe e pasionuar për ngasjen e veturave. Blerta Bytyqi është gruaja e parë që theu një paragjykim, duke u bërë ngasësja e parë me shami në një garë veturash në Kosovë.
Zonja Bytyqi thotë se besimi i saj nuk e ndalon në asnjë formë sportin apo cilindo aktivitet ku do të mund të përfshiheshin edhe burrat. Përkundrazi, thotë ajo, suksesin në gara ia atribuon besimit të saj të palëkundur edhe në kërkimin e suksesit.
Të jesh grua e të garosh me veturë për të zënë vendin e më të mirës nuk është gjë e lehtë në një shoqëri ku ende dominojnë stereotipa të llojit “gratë s’dinë të drejtojnë veturën”. Tani mund të imagjinoni presionin e një stereotipi shtesë që e kishte zonja Bytyqi: edhe grua, edhe me shami.
Ajo tregon për Radio Evropa e Lirë se mbështetjen për të hyrë në gara e ka marrë nga bashkëshorti dhe dy djemtë e saj, të cilët e kanë nxitur që të paraqitet në këtë ngjarje automobilistike.
Bytyqi, e cila nget veturën për më shumë se 16 vite, ndjehet tejet e sigurt në timon e garës dhe në kapërcimin e pengesave.
Në fakt, pengesa që ka kapërcyer duke dalë përballë një grupi meshkujsh që habiten nga shamia e saj e kombinuar me ngjyrat e garave, duket të ketë qenë më e rëndë. /tesheshi.com/