Nga Blendi Gashi
Nëse në Shqipëri janë krijuar disa modele llërëpërveshurish në krye të komuniteve, siç Veliaj fjala vjen, në Kosovë ekziston një model që tej punës ka dhe ndershmërinë.
Ky është Rufki Suma i Hanit të Elezit, një qytezë në kufi me Maqedoninë me një fabrikë çimentoje historike si burim jete, e ku Rufkiu përpiqet t’jua bëjë jetën bashkëqytetarëve më të gëlltitshme me mënyrën si qeverisë, si drejton, si i menaxhon paratë e tyre. Ai, i parreshtuar në asnjë parti politike, tashmë synon të katërtin mandat, ku tre të tjerët i ka fituar pam shumë sforco, falë tiplogjisë së tij unikale si drejtues.
Më 22 tetor do të ketë përballë dy kandidatë: Hyrijete Iusfin e LDK-së e cila njihet si mësimdhënëse e shumë gjeneratave por pa ndonjë përvojë të madhe në politikë, dhe Florim Shkretën e PDK-së, i cili më 2014-tën është dënuar për mashtrim me vota, pasi në zgjedhjet e vitit 2010, sipas aktakuzës, ai në një qendër votimi të fshatit Seqishtë kishte zvogëluar votat e tash presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të NSIMA-s Fatmir Limajt që atëherë ishte pjesë e PDK-së, ndërsa kishte shtuar votat e Azem Sylës dhe Hajredin Kuçit. Sipas Shkretës, kjo është një akuzë e montuar.
Mirëpo ngjan cinike ajo ka thënë kreu i LDK-së Isa Mustafa, ku me mishërimin e ndershmërisë përballë, është shprehur “zgjedhja e një gruaje në pozitën e kryetares së komunës së Hanit të Elezit, siguron qeverisje të drejtë, të shëndoshë, të pakorruptuar dhe qeverisje me perspektivë zhvillimore”. Pas nuk i ka mbetur dhe kandidatja vetë. duke thënë se “do të vendosë qeverisje me duar të pastra dhe pa korrupsion e pa nepotizëm”.
Përkundër këtyre akuzave, analistët politikë shprehen tejet të bindur se PDK e LDK nuk kanë gjasa të dalin triumfuese në Han të Elezit, pasi sipas tyre i pavaruri Suma vlerësohet jashtëzakonisht shumë nga banorët e kësaj komune.
Ja ç’vlerësim sjell politologu Mentor Tahiri:
“Politikat lokale janë kryesisht punë menaxheriale, pra aty nuk ka nevojë për shumë retorika politike. Hani i Elezit ka përfituar nga ky fakt dhe nuk ka pësuar nga reflektimet e mundshme që vijnë nga ambienti politik i trazuar në nivel shteti. Realisht z.Suma ka gjasa që të fitoj garën pa balotazh, së paku ky përceptim krijohet nga kontaktet me banorë të Hanit të Elezit, të cilët janë të kënaqur me punën e tij”, thotë Tahiri për tesheshi.com.
Shemsi Jashari, njohës i rrethanave politike poashtu mendon se Suma do të fitojë garën pa shkuar fare në balotazh, gjithnjë duke parë punën dhe respektin që gëzon tek qytetarët por duke mos harruar dhe sjelljen e tij modeste, pa lluks në raport me qytetarët.
“Hani i Elezit nuk do të ketë balotazh për dy arsye e para se ai ka punuar mirë dhe ka qenë afer qytetarëve me shërbime dhe komunikim të vazhdueshëm dhe e dyta pasi kandidatët kundërshtar i ka shumë të dobët profesionalisht dhe të cilët nuk kan as njohuritë bazë për qeverisje lokale”, thotë Jashari për tesheshi.com.
Ai nuk i jep kurrfarë gjasash kandidates së LDK-së e PDK-së për një befasi të mundshme, pasi thotë se janë të pa përgatitur dhe pa njohuri për qeverisje lokale. /tesheshi.com/