Risia e garës së tretë sezonale të Formulës 1 e ka emrin Valtteri Bottas. E para në provat zyrtare është sërish makina Mercedes, veçse me një ndryshim, nuk është Hamilton i pari, por Bottas.
Sapo janë mbyllur provat zyrtare për Çmimin e Madh të Bahrejnit. Pole position për pilotin finlandez, i pari në karrierën e tij, i pari me Mercedes-in.
Vetëm kaq pak i ka mjaftuar Bottas-it të spikasë me Mercedes-in. Dy garat e para sezonale, dhe provat zyrtare të së tretës, e Bottas shfaqet si zëvendësues për bukuri i Rosberg-ut, të tërhequr tashmë.
Vendi i dytë në provat e sotme i përket Hamilton-it, i renditur me fare pak diferencë në kohë pas shokut të ri të skuadrës.
Më tutje kemi një përzierje vendesh mes pilotëve të Ferrari-t dhe Red Bull-it. Kësisoj: i treti Vettel, më pas vijnë Ricciardo, Raikkonen dhe Verstappen.
Gara zhvillohet nesër në orën 17:00. /tesheshi.com/