Kosova tani po luan ndeshje ndërkombëtare të njohura nga FIFA, organizmi botëror i futbollit, por kush ishte pjesë e përfaqësueses dhe ku mbetën emrat që e djersitën fanellën e saj për të arritur deri në këtë objektiv? Dy nga ish-futbollistët e Kosovës, Muhamet Dragusha dhe Ismet Ramushi, flasin ekskluzivisht për portalin tesheshi.com, duke rrëfyer përvojën e tyre në të kaluarën dhe ftesat e munguara nga FFK-ja.
Emrat e tyre do të mbeten përgjithmonë në analet e historisë së përfaqësueses së Kosovës, ani pse për momentin nuk gjenden fare në kujtesën e zyrtarëve të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Muhamet Dragusha qe grumbulluar pothuajse rregullisht me përfaqësuesen e Kosovës. Muja, siç njihet nga tifozët e shumtë, tregon për ndryshimet që ka pësuar përfaqësuesja që nga koha kur ai ishte lojtar e deri tani.
“Kam qenë pjesë e përfaqësueses së Kosovës pothuajse në të gjitha grumbullimet. Madje në ndeshjen e fundit që kam luajtur me fanellën e vendit tim kam qenë edhe kapiten. Më kujtohet një organizim i mirë në Ankara, me ç’rast kemi luajtur me Arabinë Saudite, të cilën e mposhtëm 1-0. Në atë ndeshje luaja përkrah Besnik Hasit. Koha po e bën të veten, sepse tani ka lojtarë të rinj që luajnë në klubet më të mira europiane. Grumbullime ka më shumë, sepse janë ndeshjet miqësore të rregulluara me kalendarin e FIFA-s, ndërkohë që në të kaluarën ka qenë e vështirë të gjenden edhe kundërshtarët,” tregon Dragusha.
Ndërkaq, pas lejimit të zhvillimit të miqësoreve ndërkombëtare, Dragusha nuk ka patur asnjëherë ftesë nga zyrtarët e FFK-së, ndonëse ka qëndruar gjithmonë pranë përfaqësueses.
“Siç duket nuk po u bie në mendje ajo punë. Nuk e di cili është arsyetimi i tyre, por mendoj se është dashur të jem i ftuar në disa ndeshje, pasi kam kontribuar shumë për fanellën e vendit tim. Por, edhe pse nuk ftohem direkt nga FFK-ja, gjithmonë jam në mbështetje të përfaqësueses së Kosovës; madje ndodhem në tribuna duke shijuar çdo herë e më shumë përparimet që po ngjasin,” përfundon Dragusha.
Një tjetër lojtar që e djersiti goxha shumë fanellën e përfaqësueses së Kosovës është edhe sulmuesi gjilanas Ismet Ramushi. Madje ai pati provokuar një penallti në ndeshjen e vitit 2007 ndaj Arabisë Saudite, me ç’rast Kristian Nushi e ktheu në gol atë, dhe Kosova e fitoi ndeshjen.
“Më kujtohet fare mirë ajo ndeshje. Kam fituar një penallti, e cila u shndërrua në gol, dhe ne fituam lojën. Ka qenë një organizim i mirë në atë kohë, por gjërat kanë ndryshuar, dhe profesionalizmi është rritur çdo ditë e më shumë. Kjo falë lojtarëve të shumtë që luajnë në Europë dhe që përvojën e tyre e sjellin në Kosovë. Tani po i ndjekim ata dhe po e analizojmë lojën,” thotë me shaka Ramushi.
I harruar është edhe Ramushi, që asnjëherë nuk mori ftesë nga zyrtarët e Federatës për të parë ndonjë ndeshje.
“Jo nuk më është bërë asnjëherë ndonjë ftesë, dhe nuk e di përse. Ne kemi kontribuar që Kosova të jetë këtu ku është sot, ndaj dhe duhet të jemi të pranishëm edhe në sukseset e saj,” përfundon zemërthyer Ramushi.
Përgatiti: Drilon Sylejmani – /tesheshi.com/