Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, thotë se skena politike është kapluar nga politikanë që kanë probleme personale, ndërsa jep fjalën se partia e tij do të angazhohet që klasës politike që nuk ka ide përparimtare dhe veprime të planifikuara mirë për interesin e qytetarëve, të mos i lëshojë rrugë.
Ndonëse nuk e ka përmendur me emër kuptohet se ky mesazh i tij i drejtohet krerëve të PAN-it Kadri Veselit e Ramush Haradinajt, ky i fundit ka vite që synon me ngulm postin e kreut të qeverisë.
“Nuk mund të ngelemi në të kaluarën për shkak se lloji i tillë i politikanëve ka ende fuqi vendimmarrëse. Nuk mund të lëshojmë rrugë për njerëz të tillë, sado e vështirë që do të jetë që t’i bindim qytetarët se të tillë politikanë nuk meritojnë të mbështeten”, ka shkruar ai.
Hoti më tej thotë se përderisa politika është profesioni i vetëm për disa individë, sjelljet e tyre në politikë do të jenë jo racionale dhe më së paku në interes të qytetarëve.
“Përkundrazi, çdo veprim i tyre do të jetë në funksion të pozicionimit të tyre politik si masë e përkohshme e mbrojtjes dhe realizimit të interesave të caktuara”, pohon Hoti. /tesheshi.com/