FOA, “Miqtë e el-Aksasë”, një organizatë joqeveritare me qendër në Britani, ka nisur prej së martës një fushatë online në rrjetin elektronik twitter për të vënë në pah mbulimin e njëanshëm të BBC-së (British Broadcasting Corporation) rreth asaj që po ndodh në territoret e pushtuara palestineze.
Kjo fushatë e re, e quajtur BBSee, synon të ushtrojë presion mbi BBC-në, rrjetin mediatik britanik, për t’i raportuar faktet saktë dhe në mënyrë të pavarur. Në faqen e FOA-s i bëhet thirrje BBC-së të shohë të vërtetën dhe të raportojë faktet.
Organizata thotë se shumë njerëz po bëhen gjithmonë e më tepër të vetëdijshëm për raportimin e njëanshëm të BBC-së, e se ajo do të vazhdojë të jetë përgjegjëse për sa kohë ushqen makinerinë e propagandës izraelite.
Roli i gazetarëve duhet të jetë raportimi i së vërtetës, por BBC-ja ka dështuar dukshëm ta bëjë këtë, dhe po humb besueshmëri ndërsa bëhet palë me pushtuesit, thuhet në faqen e kësaj organizate joqeveritare.
“Miqtë e el-Aksasë” kanë shtruar një sërë pyetjesh, të drejtuara BBC-së, në kuadër të kësaj fushate. Njëra prej tyre thotë: “Pse i vini në pah lëndimet izraelite dhe e shpërfillni vrasjen e fëmijëve, të rinjve dhe grave palestineze?”
Një tjetër pyetje që pason është kjo: “Forcat izraelite vranë 57 palestinezë dhe plagosën më tepër se 2000! Pse nuk e raportoni këtë?”
Për t’u pasuar nga më kërkuesja: “Kur do t’i raportoni faktet BBSee?”
Vetë BBC-ja nuk ka bërë ende asnjë koment për fushatën kundër saj. /tesheshi.com/