Deutsche Bank e Gjermanisë thuhet se ka krijuar një grup pune për të vlerësuar pasojat e një daljeje të mundshme të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Britania pritet të mbajë një referendum në lidhje me vazhdimësinë e qëndrimit të saj në BE, pas fitores së fundit të konservatorëve në zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti.
Sipas një zëdhënësi të bankës, grupi i punës do të merret me parashikimin e skenarëve të ndryshëm në rast se Britania do të dalë nga Bashkimi Evropian. Ky grup pune në të cilin përfshihen drejtues të lartë ekzekutivë nga të gjitha departamentet e bankës është në fazat e tij fillestare dhe asnjë vendim nuk është marrë deri tani.
Deutsche Bank është banka e dytë më e madhe në Eurozonë dhe ka një shtrirje shumë të madhe edhe në Britaninë e Madhe me rreth 9000 të punësuar. Kjo është edhe banka e parë e cila ka vendosur që të analizojë pasojat e mundshme ekonomike që do të ketë një dalje e Britanisë së Madhe nga BE.
Organizimi i një referendum ishte një nga premtimet e bëra nga konservatorët, para zgjedhjeve dhe pritet që ata pas fitores së thellë të paraqesin legjislacionin përkatës për referendumin. /tesheshi.com/