Nga Donat Maloku
Auditi i Përgjithshëm në Kosovë, në raportin e tij për vitin 2014-të ka dhënë shumë vërejtje për institucionet e vendit.
Një prej problemeve kryesore është edhe mbulimi i pozitave me ‘ushtrues detyre’ edhe pas kohës së lejuar në shumë ministri dhe institucione tjera.
Ligji për Shërbimin Civil nr.03-L -149, përcakton qartë se një pozitë nuk mund të mbahet nga ‘ushtruesi i detyrës’ për më shumë se tre muaj.
Ndërsa në Policinë e Kosovës, sipas Udhëzimit Administrativ nr.07/2012 mbi marrëdhënien e punës, përcaktohet periudha ku ‘ushtruesi i detyrës’ mund të caktohet në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh dhe me mundësi vazhdimi edhe për tre muaj të tjerë.
Auditi ka gjetur se vetëm në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Kosovës janë plot 63 pozita që drejtohen nga ‘ushtrues detyre’ (15 në MPB dhe 48 në PK).
Nga 15-të, U.D-të në kuadër të MPB-së, 8 prej tyre kanë kaluar periudhën e lejuar të rregullores, përkatësisht janë si U.D. qysh nga viti 2011, ndërsa 7 tjerë ende nuk e kanë kaluar periudhën e lejuar.
Megjithatë, vlen të theksohet së në raport me vitin 2013 numri i U.D. është reduktuar për 17 pozita (në vitin 2013 ishin 32 pozita më U.D). Ndërsa në kuadër të PK-së, prej 48 ushtruesve të detyrave, 27 janë nga viti 2014, 15 nga viti 2013 dhe gjashtë nga viti 2012. Gjithashtu edhe të PK-ja në raport me vitin 2013 numri i U.D. është reduktuar për 16 pozita (në vitin 2013 ishin 64 pozita më U.D).
Problem i njëjtë është edhe në Ministrinë e Shëndetësisë ku shtatë pozita janë me ‘ushtrues detyre’, dy prej të cilëve ushtrojnë këtë detyrë që nga shtatori i vitit 2013-të.
U.D-të nën kërcënimin e ‘Pushtetarëve mafiozë’
Njohësit e rrethanave politike në vend, mendojnë se emërimet si ‘ushtrues detyre’ në institucionet e vendit bëhen për arsye të ndryshme. Sipas tyre kryesorja është se ‘shefat’ të emëruarit si U.D. dëshirojnë t’i kenë nën kontrollin e tyre për të mbuluar veprat korruptive
Analisti Nexhmedin Spahiu në një prononcim dhënë për portalin “Te Sheshi”, ka thënë se zakonisht emrimet me U.D. bëhen kur personi nuk ka kualifikimin e duhur dhe Ligji nuk lejon emërimin e plotë në pozitën përkatëse. Sipas, tij emërimet e tilla ndodhin kur ‘shefat’, dëshirojnë të abuzojnë me Ligjin. “Arsyeja përse bëhet kjo është që të jetë vazhdimisht nën kërcënimin e eprorit, sepse duke qenë U.D. mund ta heqë kurdo që shefi dëshiron pa pasur nevojë për arsyetim formal. Zakonisht, kjo ndodhë kur shefit i duhen realizuar vepra korruptive. Thjesht, ky është një abuzim me Ligjin që e mundëson këtë lloj emërimi”, ka deklaruar Spahiu.
Njohësi i rrethanave politike Faik Krasniqi thotë se ka ministri, Borde dhe Agjensi në Kosovë, që prej vitesh nuk kanë emëruar drejtor ose shef të atij sektori, por veprojnë me ‘ushtrues detyre’. Sipas tij, kjo praktikë e këtij pushteti, bëhet për dy arsye:
“E para, bëhet për shkak se atë pozitë duan ta emërojnë një njeri të tyre që nuk është profesionist dhe njohës i asaj fushe, por që i kryen detyrat e tyre të paligjshme! Dhe e dyta, që këta pushtetar mafiozë të dalin të palagur nga veprimet e tyre të paligjshme, duke e adresuar fajin tek njerëzit jokompetentë, në këtë rast të U.D., sepse në bazë të ligjit një ushtrues detyre e ka kohën e caktuar se sa mund ta ushtrojë atë funksion. Kjo e gjitha bëhet për humbjen e gjurmëve dhe adresimin e fajit në adresë të panjohur!”, ka deklaruar Krasniqi për portalin “Te Sheshi”.
Ndryshe, Auditi thotë se praktika e mbulimit të pozitave kyçe me ‘ushtrues detyre’ rrezikon që pozitat të menaxhohen nga personat që nuk i përmbushin kriteret e nevojshme, andaj duhet tejkaluar pasi që ka ndikim vendimtar për arritjen e objektivave. /tesheshi.com/