Shpeshherë klubet e futbollit preferojnë t’ua përshpejtojnë rinovimin e kontratës lojtarëve që duan të mbajnë në skuadër, qoftë dhe për të rritur klauzolën e shitjes së tyre, nëse performojnë mirë.
Por edhe ky proces ka ngërçet e veta.
Herë për faj të lojtarëve, herë për mosplotësim të kërkesave financiare, e herë për shkak të ndonjë negociate të fshehtë që agjentët e futbollistëve bëjnë, ndodh që në merkaton e verës lojtarët të shiten me parametra zero. Nëse sot do të bëhej një skuadër me lojtarë që kanë vitin e fundit të kontratës, pra nuk e kanë rinovuar atë, do të kishim një formacion yjesh.
Nga Kasijas në portë, tek Kielini, Barzalji, Huanfran e Blind në mbrojtje. Mesfusha do të përbëhej nga Herrera, Mata, Ozil, Iniesta, ndërsa sulmi nga Mesi dhe Aleks Sancez.
Normalisht që këtë formacion kush nuk do ta dëshironte, e vëzhguesit prej kohësh qëndrojnë me bllok në dorë për të përfituar nga skadenca e kontratës së secilit, për ta marrë sa më lirë lojtarin. Por nga ana tjetër, këmbana bie për klubet ku ata luajnë, sepse jo vetëm rrezikojnë t’i humbin lojtarët, por edhe t’i humbin “për 5 lek”, sicc themi ne rëndom. /tesheshi.com/