Provinca turke e Kilisit është goditur pandërprerë në javët e fundit nga ana siriane e kufirit. 20 është numri i të vdekurve, e 70 i të plagosurve, në këtë provincë, siç konfirmojnë autoritetet lokale.
Zëvendëskryeministri turk, Numan Kurtulmush, do të deklaronte në fillim të kësaj jave se në tre muajt e fundit qenë hedhur në Kilis 55 raketa nga ISIS-i.
Një grup forcash speciale turke janë përgatitur prej ditësh për një operacion në tokën siriane. Të kryer mbrëmjen e së shtunës nga 15 gjer në 20 forca të tilla, në një zonë rreth 14 kilometra përtej kufirit pranë Kilisit.
Forcat speciale janë kthyer mëngjesin e së dielës, ndërsa objektivi ka qenë shkatërrimi i platformave të lëshimit të raketave që godasin territorin turk.
Ndërsa nuk ka një njoftim zyrtar të ushtrisë turke, mediat në Turqi njoftojnë se zyrtarët ushtarakë amerikanë dhe rusë janë lajmëruar për operacionin para nisjes së tij.
Të njëjtat mjete informimi u referohen burimeve anonime ushtarake dhe bëjnë të ditur se mbrëmjen e shkuar janë shkatërruar nga forcat turke tre lëshues raketash, tre makina, e janë neutralizuar 55 militantë të ISIS-it. /tesheshi.com/