Për disa vite qëndron në krye të Federatës së Taekwondo-s së Kosovës, ku si një profesionist ka lënë gjurmë me punën e tij. Për më tepër se një vit disa herë bëri kërkesë për rilicencim të Federatës në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit (MKRS) por u injorua totalisht nga ish-ministri Kujtim Shala dhe departamenti ligjor edhe pse departamenti i sportit i kësaj ministrie në krye me drejtorin Iber Alaj shikuan dokumentet dhe dhanë dritën e gjelbër për rilicencim.
Dhe çuditërisht departamenti ligjor i MKRS-së në vend që të pranoi kërkesën e tij për rilicencim të FTK-së i dha opinion pozitiv një Kuvendi tjetër që u organizua më 21 prill të vitit 2016 ku kryetar i federatës u zgjodh Gazmend Preniqi, ku më pas u njoh edhe nga departamenti i OJQ-ve në Ministrinë e Administratës Publike, për çka Gashi ka bërë ankesë pasi e quan organizim paralel dhe të jashtëligjshëm.
Gashi në një intervistë për tesheshi.com flet në hollësi për siç thotë për padrejtësitë që po i bëhen, tregon për kërkesat e vazhdueshme që ka bërë në MKRS për rilicencim, pse ai është kryetar legjitim e jo Preniqi, për shkeljet që janë bërë në Kuvendin e organizuar nga pala tjetër, për takimin që ka pasur me ministrin e ri të MKRS-së Kujtim Gashi, e shumë çështje të tjera që lidhen me problemet në këtë federatë.
Intervistoi: Blendi Gashi
Ju, përmes një letre keni deklaruar se po ju bëhet padrejtësi dhe në mënyrë ilegale po duan t’iu largojnë nga posti i kryetarit të Federatës së Taekwondo-s? A mund të na tregoni në hollësi për kënd jeni i papranueshëm dhe pse?
Këtu ka një gjë interesante. Përderisa departamenti i sportit në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) merret vetëm me çështje të federatave, është e udhës që rekomandimet dhe vendimet që merren nga ky departament edhe MKRS-ja t’i pranojë. Por fatkeqësisht nuk po ndodh një gjë e tillë.
Departamenti në fjalë që udhëhiqet nga drejtori Iber Alaj, ka vlerësuar se dokumentacioni i Federatës i dërguar për rilicencim është në rregull ashtu si edhe të gjitha veprimet qoftë organizimet e dy kampionateve ne vitin 2016 apo dy Kuvendeve zgjedhore të mbajtura vitin e kaluar sipas kërkesës së Departamentit të Sportit përmes një rekomandimi të muajit janar 2016, kuvende këto që janë monitoruar edhe nga përfaqësues të MKRS dhe Komitetit Olimpik i Kosovës (KOK), por për kundër kësaj çuditërisht ish-minsitri Kujtim Shala nuk e ka nënshkruar certifikatën e rilicencimit për Federatën e Taekwondo-s për vitin 2016-2020, edhe pse diku në muajin qershor kjo licencë veç ka qenë në zyrën e tij që është dërguar nga drejtori Alaj.
Padrejtësi bëhet sidomos nga departamenti ligjor i MKRS-së i cili i ka dhënë opinion pozitiv për një të ashtuquajtur Kuvend të grupit paralel i cili organizohet më 21 prill të vitit 2016 në “Grand Hotel” i cili nuk është monitoruar as nga MKRS, KOK e as Ministria e Administratës Publike (MAP), pasi këto institucione kanë qenë të informuara se grupi në fjalë është jo legjitim.
Edhe përkundër këtyre, departamenti ligjor i MKRS-së mori guximin duke i dhënë opinion pozitiv për të ashtuquajturin Kuvend, dhe e quan legjitim dhe ky grup me këtë opinion ka gjetur dikë brenda MAP-it dhe kanë ndërruar edhe përfaqësuesin e federatës.
Sikur të ishte i arsyeshëm ky opinion dhe me bazë ligjore ky grup paralel do ta merrte licencën qysh vitin e kaluar nga MKRS.
Vitin e kaluar drejtori Alaj i drejtohet me një shkresë KOK-it lidhur me këtë opinion të departamentit ligjor të MKRS-së në të cilin thuhet: “ju informoj se kjo shkresë nuk është zyrtare por komunikim mes departamenteve të Ministrisë për trajtimin e lëndës së njërës palë pa trajtuar të dy palët apo dokumentacionin e departamentit të sportit, prandaj kjo letër nuk është valide, siç shihet nuk ka protokoll zyrtar, andaj nuk mund të bazoheni në këtë interpretim nga zyra ligjore”.
Andaj, konsideroj se opinioni i departamentit ligjor të MKRS-së është i jashtëligjshmen për faktin se ai grup paralel nuk ka pasur të drejtë të thërras Kuvend, sepse Kuvendin sipas ligjeve në fuqi mund ta thërras veç kryetari i federatës ose shumica e klubeve anëtare të një federate dhe këtë të ashtuquajtur Kuvend të këtij grupi paralel e ka thirrur vetëm një klub që ka dalë me vet dëshirë nga federata dhe ka thirr në Kuvend klube që nuk janë pjesë e federatës.
Kjo nuk lejohet në asnjë rregullore dhe ligj qoftë të Kosovës apo ndërkombëtarë që vetëm një klub të organizoj Kuvend me klube tjera jashtë federate përderisa federata ekziston dhe është tërësisht aktive dhe ka 12 klube.
Përveç kësaj kanë bërë edhe shkelje tjera, duke filluar me ndryshimin e statusit të Federatës, gjë që nuk guxon të ndërrohet nga askush përveç Kuvendit legjitim që jemi ne (drejtuesit legjitim të Federatës), ku më 5 nëntor 2016 në Kuvendin e ciklit olimpik të Federatës të Taekwondos-s është bërë ndryshimi i statusit që është aprovuar nga MAP-i i cili ka lëshuar edhe vendimin me 06.12.2016.
Ky grup ka përdorur edhe certifikatën e federatës pranë MAP-it duke bërë shkeljen e radhës sepse certifikatën mund ta përdori vetëm unë si kryetar dhe askush tjetër.
Poashtu kanë bërë falsifikim të emrave të klubeve ku ceket se ka marrë pjesë në Kuvend edhe Akademia e Taekwondo-s dhe Hapkido-së “Tiger”, gjë që nuk është e vërtetë.
Ky grup paralel me opinion e departamentit ligjor të MKRS-së e ka shfrytëzuar amullinë e ndërrimit të qeverisë dhe ka gjetur intervenime në MAP dhe bën ndryshimin e përfaqësuesit të federatës në mënyre anti-ligjore.
MAP-i duke ditur se nuk e ka monitoruar të ashtuquajturin Kuvend të këtij grupi bën ndryshimin me arsyetimin se janë bazuar në opinionin e departamentit ligjor të MKRS-së, dhe çudia është se si një opinion i një departamenti të mos ketë zbatueshmëri ne ministrinë e vet (siç është rasti tani në MKRS) por të ketë zbatueshmeri në një ministri krejtësisht tjetër siç është rasti i MAP-it ?
Kjo lë të kuptohet qartë se këtu ka gisht në këtë organizim paralel dhe dikush duhet të merret në përgjegjësi për këto shkelje ligjore të bëra.
Kur është mbajtur Kuvendi i fundit ku jeni zgjedhur kryetar dhe deri në cilin vit keni mandat?
Rekomandimi i lëshuar nga drejtori Alaj për Federatën e Teakwondo-s të datës 22 janar të vitit 2016 kërkon të organizojmë një Kuvend zgjedhor ku do të dalin përfaqësuesit legjitim të federatës dhe njëkohësisht nga takimet që kemi zhvilluar ne personalisht me z.Alajn, sekretarin gjenderal të MKRS-së Veton Firzi dhe zv.drejtoreshën Afërdita Fazliu, kanë kërkuar të mbajmë një apo dy kampionate për të gjitha grup moshat ku do të evidentoheshin klubet funksionale dhe jo funksionale të cilat do kishin apo jo drejtë vote.
Ne si federatë ju kemi përmbajt këtij rekomandimi dhe kemi organizuar dy kampionate më 10 dhe 17 prill më 2016 në të cilat kanë marrë pjesë të gjitha klubet anëtare të federatës por jo klubet jashtë federate edhe pse kanë qenë të ftuara por nuk kanë ardhur.
Poashtu kemi organizuar edhe Kuvendin zgjedhorë më 4 maj të vitit 2016 ku kanë dalë organet e reja. Edhe për të qenë pjesë e Kuvendit janë ftuar të gjitha klubet e federatës por edhe ato që nuk ishin anëtare si dhe zyrtarët e MKRS-së dhe MAP-it dhe as në këtë Kuvend nuk kanë ardhur klubet jo anëtare të federatës të cilat janë ftuar.
Ky kuvend ka qenë i monitoruar nga zyrtari i MKRS-së Fatlum Grajçevci i cili ka lëshuar raportin e rregullsisë së plotë të këtij Kuvendi.
Në këtë kuvend jam rizgjedhur kryetar ndërsa Enis Qafeleshi sekretar gjeneral i FTK-së.
Federata poashtu me 5 nëntor 2016 ka mbajtur edhe Kuvendin e dytë zgjedhorë sipas ciklit olimpik i cili poashtu është monitoruar nga MKRS dhe zyrtarë të Komitetit olimpik, ku unë Nuhi Gahsi jam rizgjedhur kryetar kurse Enis Qafeleshi sekretar gjeneral.
Menjëherë pas Kuvendit të dytë, KOK-u ka lëshuar konfirmimin mbi rregullsinë e punës së këtij Kuvendi dhe e ka njoftuar edhe Federatën Evropiane dhe Botërore për kryesinë e re.
Vlen ta ceki se në kuvendin e parë kanë marrë pjesë 9 klube nga katër regjione me shtrirje gjeografike, kurse në të dytin 12 klube me pesë regjione.
Në faqen zyrtare të Federatës së Taekwondo-s shkruan se ju jeni kryetar. Por së fundmi ministri i Kulturës priti Gazmend Preniqin që poashtu pretendon që është kryetar. Pra kush është kryetari i vërtetë?
Në bazë të dokumentacionit dhe veprimet që janë marrë në përputhje me kërkesat e MKRS-së dhe MAP-it them me plotë të drejtë se unë Nuhi Gashi jam kryetar i Federatës së Taekwondo-s e jo Gazmend Preniqi.
Arsyeja është se unë kam organizuar dy Kuvende zgjedhore që kanë qenë të kërkuara nga KOK (për shkak të ciklit olimipk) dhe me rekomandimin e janarit të vitit të kaluar nga drejtorit Ibër Alaj.
Si kryetar së bashku me udhëheqësin, kemi mbajtur kampionate, kemi mbyll projektet, kemi bërë auditimin e federatës, kemi gjithë dokumentacionin,cerftifikatën e OJQ-së, numrin fiskal, llogarinë bankare të federatës, etj, etj.
Jam përfaqësues legjitim në bazë të Kuvendeve nga viti 2009, ku në të gjitha Kuvendet zgjedhore jemi monitoruar nga MKRS, KOK-u, MAP-i dhe kjo më jep legjitimitet të plotë për dallim nga Gazmend Preniqi që është zgjedhur nga një Kuvend ilegal që nuk është mbikëqyrur nga institucionet e lartpërmendura.
Poashtu së fundmi edhe KOK-u në takimin e Bordit Ekzekutiv me ka rikonfirmuar mua si kryetar legjitim dhe Enis Qafeleshin si sekreatar gjeneral, gjithashtu jam i pranuar edhe nga Federata Evropiane dhe Botërore e Taekwondo-s.
Ju jeni ankuar në Ministrinë e Administratës Publike (MAP) pas vendimit të lëshuar në favor siç e quani ju grupit paralel dhe të Preniqin ku njihet si kryetar. A pritni përgjigje pozitive?
Është e vërtet që jam ankuar në MAP kundër vendimit të lëshuar në favor të Preniqit dhe grupit të tij paralel, pasi posedoj dëshmi të mjaftueshme se vendimi në fjalë është pa bazë ligjore, pra vendim i lëshuar në bazë të një opinioni të departamentit ligjor të Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit, që nuk ka pasur zbatueshmëri as në vet këtë ministri, atëherë shtrohet pyetja si mund të vlerësohet pozitivisht nga një ministri krejtësisht tjetër siç është MAP-i. Mendoj se në ankesën e bërë ka dëshmi të mjaftueshme për të treguar jo legjitimitetin e vendimit të marrë nga MAP në favor të grupit paralel dhe besoj se ai vendim do të shfuqizohet dhe do të kthehem si përfaqësues, kryetar legjitimin i Federatës së Taekwondo-s.
Do të bëjë edhe një ankesë tjetër shtesë dhe shpresoj që MAP-i do të reflektoj pozitivisht.
A keni biseduar për këtë problem me drejtuesit e ri të MKRS-së, me ministrin e ri Kujtim Gashi?
Po unë së bashku me sekretarin gjeneral Enis Qafleshi i cili është edhe në Këshillin mbikëqyrës të KomitetitOlimpik dhe Ymer Berisha kryetar i Këshillit mbikëqyrës të Federatës së Taekwondo-s, njëherit zyrtar i arbitrazhit në KOK të premten jemi takuar me ministrin e ri të MKRS-së, z.Kujtim Gashi, drejtorin e departamentit ligjor të kësaj ministrie Feim Hoxha dhe keshilltaren e ministrit znj.Jehona Shyti të cilëve ju shprehëm pakënaqësitë tona për padrejtësitë që na janë bërë nga departamenti ligjor i MKRS-së dhe i treguam për injorimin e vazhdueshëm që na ka bërë ish-ministri Kujtim Shala.
Krerëve të MKRS-së ju dëshmuam me dokumentacion legjitimitetin tonë, dhe më erdhi shumë mirë që drejtori i departamentit ligjor z. Hoxha dëshmoi para ministrit dhe të gjithë neve se si ky departament ka shqyrtuar vetëm kërkesën e njërës palë, pra të grupit paralel, por jo edhe kërkesën tonë, që e kemi dorëzuar disa herë si drejtues legjitim për rilicencim të Federatës së Taekwondo-s dhe as dokumentacionin tonë të dorëzuar nga Departamenti i Sportit. Sigurisht për të mos u marrë me kërkesën tonë ju ka thënë ndokush nga lartë.
Ne shprehëm habinë si është e mundur që departamenti ligjor i MKRS-së të lëshoi opinion pozitiv për grupin paralel, i cili opinion e njeh legjitimitetin e tyre përderisa nuk është monitoruar ai Kuvend nga askush dhe kur më tepër në dokumentacionin e grupit në fjalë janë përdorur dokumentacione false, pra janë bërë shkelje ligjore, pasi është prekur statusit ligjor i Federatës së Taekwondo-s, është përdorur certifikata e FTK-së pranë MAP-it etj, kurse nuk është shqyrtuar siç ceka më lartë dokumentacioni i palës sonë si federatë dhe dokumentacioni i departamentit të sportit të MKRS-së që është dorëzuar nga drejtori Iber Alaj.
Përgjigja që morëm është se nuk ju është kërkuar të shqyrtohet dokumentacioni ynë, edhe pse kishim dorëzuar me dhjetëra dokumentacione.
Ministri Kujtim Gashi premtoi se nuk do të ketë zvarritje si deri më tash dhe se do bëhet një zgjidhje e këtij problemi në bazë të dokumenteve, dhe se zgjidhja do ju pëlqej të dy palëve.
Ne kërkuam nga ministri që këtë ta bëjë sepse bëhen gati dy vite që s’kemi marrë përgjigje nga ministri i kaluar Shala, pasi na ka neglizhuar në vazhdimësi duke mos na dhënë përgjigje edhe pse kemi dërguar mbi 50 shkresa, ankesa, kërkesa.
Ministri i ri premtoi se do të bëjë një komision që do e shqyrtoi dokumentacionin dhe pas rishikimit do merret vendimi, çka e falënderuam për të zgjedhur këtë problem.
Ju po insistoni që po ju bëhet padrejtësi. Ç’rrugë do të ndiqni për të fituar të drejtën tuaj nëse MAP ju kthen përgjigje negative?
Nuk do të ndalem së kërkuari të drejtat tona, pasi gati dy vite po dëmtohen klubet, sportistët, federata që është e anëtarësuar në Komitetin Olimpik të Kosovës, Federatën Evropiane dhe Botërore me të drejta të plota, andaj do t’i ndjek të gjitha rrugët ligjore për të ardhur deri te drejtësia. Shpresoj që problemi të zgjidhet sa më shpejt dhe të na rilicencojnë si federatë, përndryshe ne udhëheqësit do të kërkojmë edhe dëmshpërblim sepse konsultimet që kemi pasur me avokat dhe jurist thonë se federate e drejtuar nga unë është legjitime dhe po bëhet padrejtësi qoftë nga MAP-i dhe në të kaluarën nga MKRS.
Për fund cilat janë sukseset më të mëdha të Federatës së Taekwondo-s nën udhëheqjen tuaj?
Ndër sukseset më të mëdha është se të gjitha klubet e federatës janë kompakt dhe nuk ka asnjë vërejtje në organizim të federatës apo në kryesinë që sot ekziston. Për këtë ndihem mirë dhe kjo e dëshmon se si federate jemi përpjekur me mundësitë që kemi të përkrahim secilin klub, qoftë materialisht apo moralisht.
Kemi gjetur gjuhë të përbashkët mes klubeve për çka sot ekzistojnë 12 klube, dhe shpresoj që shpejt të regjistrohet edhe klubi i 13-të.
Sa i përket sukseseve tjera, kjo federatë edhe përkundër problemeve të shumta nga jashtë ka arritur të ndajë energji, që të përgatis garues për arenën ndërkombëtare që ta përfaqësojmë Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme.
Në vitin 2016 në kampionatin evropian të klubeve kemi arritë vendin e tretë me Qëndrim Sejfiaj, sportist i Akademisë së Arteve Marciale “Prishtina”.
Pastaj kemi marrë pjesë në kampionate evropiane e botërore dhe në lojëra olimpike evropiane.
Kemi arritur që Kosovën ta përfaqësojmë edhe në Rusi me simbole e himnin tonë, gjë që deri më 2015 asnjë federatë tjetër nuk e ka arritur, pra që në kampionatin botëror në Rusi ta ngritë flamurin e shtetit.
Kemi arritur që ta ngrisim cilësinë e garuesve për arenat ndërkombëtare, cilësinë e referëve dhe trajnerëve.
Gëzojmë një respekt si kryesi qoftë në Federatën Evropiane ashtu edhe nga ajo Botërore e në veçanti Komiteti Olimpik i Kosovës.
Përkundër vështirësive që kishte federata nga paralelizmi i vazhdueshëm kemi arritur që të anëtarësohemi me të drejta të plota në Federatën Ballkanike Evropiane dhe Botërore.
Udhëheqësia e federatës në krye me mua përveç garimit, synimin kryesorë e ka pasur dhe do ta ketë edhe edukimin e sportistëve dhe bashkëpunimin e ngushtë mes klubeve. /tesheshi.com/