Në një prononcim të fundit, Raportuesi për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein, thotë se në Bruksel nuk mund të kuptohet akti i djegies së mandateve nga opozita.
“Për momentin, ajo që kam dëgjuar unë tingëllon shumë e rrezikshme. Kam dëgjuar që opozita do të djegë mandatet dhe këtë nuk e kuptojmë në Bruksel. Politikanët, anëtarët e parlamentit zgjidhen për të përfaqësuar në parlament një alternativë më të mirë se politikat e qeverisë. Si mund të bëjnë këtë nëse nuk marrin pjesë?”, shprehet i habitur diplomati gjerman.
Sipas Fleckenstein, padyshim që ky hap i opozitës do ndikojë në hapjen e negociatave.
“Më shqetëson më shumë bojkoti apo djegia e mandateve, nuk jam i sigurt që s’do të jetë shqetësuese… nëse Shqipëria nuk ka një parlament funksional apo nëse opozita nuk do të kontribuojë, prandaj po mendoj se do të ndikojë dhe mund vetëm të shpresoj , që kushdo ta kuptojë, s’duhet të habiten nëse negociatat shtyhen sërish”, tha njeriu përgjegjës për Shqipërinë në PE. /tesheshi.com/