Tërheqja reciproke e britanikëve dhe francezëve – ose për të qenë më të kujdesshëm, anglezëve dhe francezëve – nuk është një surprizë. Ngacmimi i “bretkocave” si intelektualë që vetëm pozojnë, të interesuar vetëm për veten është një klishe në shtypin anglez, dhe jo vetëm në atë të tabloideve. Homologët e tyre anglezë e kanë të lehtë të karikaturojnë “biftekët” si filistinë me fytyrë të kuqe. Ashtu sikundër vënë re shumë analistë, marërdhënia dashuri-urrejtje midis Anglisë dhe Francës ka një histori të gjatë dhe në vijim. Në të vërtetë, raftet e librarive janë të mbushura plot me përpjekje, akademike ose jo, për ta shpjeguar këtë marrëdhënie.
Ajo që i bën dy përpjekjet më të fundit kaq tërheqëse është se autorët e tyre analizojnë marrëdhënien jo përmes prizmit të historianit që kalon nga lufta, perandoria, ekonomia e kështu me radhë, por përmes gjuhës. Për këtë arsye, Henriette Walter ka zgjedhur një titull të zgjuar (familja mbretërore britanike përdor frëngjishten për të shprehur moton “E keqja qoftë me atë që mendon keq”) dhe nëntitullin interesant që deklaron “historia e pabesueshme e dashurisë midis francezëve dhe anglezëve”.
Kështu me të vërtetë. Uollter skicon një pemë linguistike indo-europiane degët europiane të së cilës ishin si latinishtja ashtu edhe gjermanishtja, e tregon sesi frëngjishtja dhe anglishtja e kanë ndikuar njëra-tjetrën prej shekujsh – pavarësisht përpjekjeve proteksioniste të puritanëve të gjuhës (dukshëm kjo vlen për Akademinë Franceze). Rezultati është se francezët dhe anglezët kanë një volum shumë më të madh fjalori të përbashkët sesa frëngjishtja dhe italishtja mes tyre (ose, nëse kjo ka rëndësi edhe sesa anglishtja dhe italishtja).
Por, të dyja gjuhët kanë po ashtu një numër “miqsh të rremë”, aq të rremë sa mund të provokojnë shumë keqkuptime të sikletshme. Mos e komplimentoni një francez se është “i sinqertë” me fjalën candid, pasi për të kjo fjalë ka kuptimin e të qënit naiv. Dhe sigurisht mos thoni që ai është fleksibël pasi do të kuptojë të qënit i paqëndrueshëm.
Bukuria e librit të Uollter është për të gjithë e arritshme. Ajo ka argumente si akademikë ashtu edhe zbavitës.
Libri i Christine Geoffroy po ashtu mund të lexohet lehtësisht, por sigurisht që nuk ka shumë argëtim. “Mosdakordësi miqësore”, apo një udhëtim në zemër të hapësirës ndërkulturore franko-angleze, ka kuptim të këndshëm në frëngjisht, por duket komike dhe pompoze në anglisht.
Ajo që synohet, sidoqoftë, ka shumë kuptim. Një ekonomi globale do të thotë edhe kompani shumëkombëshe dhe një treg pune globale, që do të thotë punonjës francezë për kompani angleze dhe punonjës anglezë për kompani franceze. Por, a do të bënte analizimi i reflektimeve të këtyre punonjësve për sqarimin e keqkuptimeve reciproke?
Geoffroy arrin shumë sqarime në udhëtimin përmes historisë, edhe pse kur vjen tek e tashmja, nuk tingëllon bindëse. Të intervistuarit e saj janë individë, përvojat e të cilëve mund të jenë ose jo të aplikueshme.
Sigurisht, anglezët kanë një ndjesi të ironisë që francezët shpesh e gjejne ofensive, mirëpo a janë shefat anglezë vërtet aq të dhënë pas hierarkisë dhe shpesh të paaksesueshëm siç mendojnë disa të intervistuar? Një vëzhgues më i mirë duket të jetë një burrë që thotë se një anglez mund të jetë e vështirë ta bindësh, por ama kur e bind ai do të bëjë atë që i është thënë, në kontrast francezët bien dakord kollaj por e tërheqin zvarrë edhe dy vjet të tjerë.
Për fat të mirë, asnjë nga autoret nuk ka rënë në shovinizëm linguistik që shpeshherë anglezët ia atribuojnë francezëve. Për të dyja rastet vlen citimi i një amerikani, H.L. Mencken që thotë: “Një gjuhë e gjallë është si një njeri që vuan pafund nga hemorragji të vogla, dhe që ka nevojë në radhë të parë për transfuzione gjaku të ri nga gjuhët e tjera”.
Përgatiti Juli Prifti – /tesheshi.com/