“Skuadra gjeti shpirtin e duhur dhe arriti një fitore më në fund” – ishin këto fjalët e para të thëna nga trajneri Panuçi, pas një fitore minimaliste, por me shumë peshë ndaj një ekipi si Uellsi, që pati në lojë dhe Gereth Bale.
Ishte Balaj ai që në minutën e ‘58 shënoi me një 11-metërsh të fituar nga Xhaka, ndër më aktivët në fushë, duke i dhënë një fitore kuqezinjve, pas një serie humbjesh ku më katastrofalja qe ajo e para pak ditëve me Skocinë 0-4.
“Unë di që djemtë i kam pas krahëve, i kam me vete. Nëse do e dija që nuk do ishin me mua, do largohesha”, tha italiani i pankinës shqiptare, pasi është aluduar se humbjet mund të ishin tregues i një komploti ndaj tij.
Ndërkohë, Kosova shënoi fitoren e radhës duke shpartalluar Ajzerbaxhanin 4-0.
Edhe Kosova pati një periudhë të vështirë në eliminatoret e Botërorit, ku pas një fillimi të mbarë me Finlandën 1-1 erdhën më pas humbje dërrmuese. Por pas ndërrimit të trajnerëve, ku në pankinë erdhi zvicerani Challandes, ka patur një kthesë të jashtëzakonshme të ekipit, duke arritur fitore të njëpasnjëshme. /tesheshi.com/