Prokuroria e Kosovës ka ngritur kallëzim penal ndaj ish-deputetit Naser Osmanit, i cili vjen nga radhët e LDK-së, si dhe ndaj krahut të djathtë të ish-kryeministrit në ekzil, Bujar Bukoshit, Atdhe Gashit.
Osmani, i cili edhe më herët është shquar për akuza të keqpërdorimit, tani pritet të ndiqet penalisht për keqpërdorimin e fondit të njohur të “3%”, përmes së cilit shqiptarë nga e gjithë bota kontribuuan për atë që e mendonin si “donacion për vendlindjen”.
Hetimet e prokurorisë kanë dalë me të dhëna se vetëm Naser Osmani i ka tërhequr pa asnjë dëshmi 800.000 euro, ndërsa Atdhe Gashi, 150.000.
Me fondin e “3%”, obligoheshin punëtorët që punonin në shtetet e huaja, ata që gëzonin ndihma nga shtetet ku ishin strehuar dhe pronarët e firmave private të ndanin 3 për qind nga të ardhurat e tyre për këtë fond në shtetet ku jetonin.
“Bartës të grumbullimit të mjeteve në shtetet e jashtme janë Këshillat Koordinues të subjekteve politike, përkatësisht partitë politike dhe shoqatat e qytetarëve (lobi)”, thuhej në dokumentin themelues te fondit.
Por të hollat e mëdha që janë grumbulluar janë tërhequr nga ky fondi mes viteve 2006-2011, ku më shumë se gjysmë milioni euro janë nxjerrë nga bankat jashtë vendit nëpërmjet 16 transaksioneve të dyshimta.
Fondi ishte themeluar gjatë viteve të 90-ta për të ndihmuar popullin e Kosovës. Gjatë atyre viteve ishin paguar mësuesit dhe mjekët për punën e tyre. Gjatë luftës ky fond kishte financuar edhe luftën. Ndërkohë, pas luftës ishte përfshirë në aktivitete të rindërtimit. /tesheshi.com/