20 marsi është dita kur do t’i shohim të rikthyera në pistë makinat e Formula 1-shit, në garat e shpejtësisë më spektakolare në botë. Siç është tradita, kampionati nis në Australinë e largët, në pistën e Melburnit.
Në përgatitjet e fundit sezonale, para nisjes së provave, shumë prej skuadrave kanë paraqitur makinat e reja, e këtë ka bërë dhe Ferrari dje, me kokëkuqen që ka pësuar disa ndryshime, të dukshme dhe të padukshme.
Me synimin për të thyer hegjemoninë e Mercedes-it, e po ashtu të Lewis Hamilton-it, inxhinierët e Ferrari-t kanë bërë gati një makinë që pretendojnë se do të jetë e aftë të konkurrojë denjësisht në pistë.
SF-16H është seria e re e makinës Ferrari që do të garojë në këtë sezon, dhe mes ndryshimeve në të është ngjyra e bardhë, e pranishme në tërë telajon, por edhe një hundë më e shkurtër.
Të kënaqur me makinën e re, dy pilotët e njëvendëshes së kuqe, gjermani Vettel dhe finlandezi Raikkonnen, janë shprehur entuziastë për aventurën e afërt.
Po dje i kanë bërë të njohura makinat dhe Mercedes-i e Williams-i. /tesheshi.com/