Greqia ka dënuar njoftimin e Turqisë se do të kryejë kërkime të naftës në Mesdheun lindor në një zonë për të cilën Athina thotë se mbivendoset me raftin e saj kontinental, duke thënë se një veprim i tillë dëmton paqen dhe stabilitetin në rajon.
Zyrtarët deklaruan se ushtria greke është në gatishmëri, dhe kryeministri Kiriakos Mitsotakis mblodhi Këshillin për Sigurinë Kombëtare pas njoftimit turk.
Turqia ka lëshuar një Mesazh Ndërkombëtar të Sigurisë Detare (Navtex), duke njoftuar se anija e saj kërkimore dhe dy anije mbështetëse do të kryejnë studime sizmike në zonën midis Greqisë dhe Qipros nga e hëna deri më 23 gusht.
Javën e kaluar, Turqia gjithashtu njoftoi se do të zhvillojë stërvitje me të shtëna të hënën dhe të martën në Mesdheun lindor, në jug-perëndim të bregdetit turk midis Turqisë dhe ishullit grek të Rodosit.
“Greqia nuk do të pranojë asnjë shantazh. Ajo do të mbrojë sovranitetin dhe të drejtat e tij sovrane,” tha Ministria e Jashtme greke në një deklaratë, duke i kërkuar Turqisë që “të ndalojë menjëherë veprimet e paligjshme që dëmtojnë paqen dhe stabilitetin në rajon”.
Shkallëzim serioz
Ministria vuri në dukje se Navtex, së bashku me mobilizimin e vrojtuar të njësive të marinës turke, përfaqëson një përshkallëzim të ri serioz.
“Turqia po vepron në një mënyrë që destabilizon dhe kërcënon paqen,” shtoi ajo.
Nga ana tjetwr, ministri turk i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Fatih Donmez tha sot se anija kërkimore turke ka mbërritur në zonën e saj të operacioneve dhe është mbështetur nga 83 milion njerëz, duke iu referuar popullsisë së Turqisë.
Tensionet janë rritur në rajon muajve të fundit për të drejtat e kërkimit të naftës dhe kufijtë detarë. Muajin e kaluar, Turqia njoftoi se po pezullonte operacionet e saj të eksplorimit në Mesdheun lindor, i cili u pa si një lloj qetësie.
Dënimi i marrëveshjes
Por javën e kaluar, Ankaraja dënoi një marrëveshje të nënshkruar nga Greqia dhe Egjipti të enjten për demarkacionin e kufijve detarë dhe zonave ekskluzive ekonomike për të drejtat e shpimit të naftës.
Vitin e kaluar, Turqia nënshkroi një marrëveshje të ngjashme me qeverinë libiane në Tripoli, duke shkaktuar zemërim nga Greqia, Qipro dhe Egjipti, të cilat thonë se marrëveshja shkel të drejtat e tyre ekonomike në Mesdhe. Bashkimi Evropian deklaroi se marrëveshja turke me Libinë përfaqëson një shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe kërcënon stabilitetin në rajon.
Aleatët dhe fqinjët e NATO-s Greqia dhe Turqia, kanë qenë në konflikt për dekada të tëra mbi një sërë çështjesh, përfshirë kufijtë detarë, dhe kanë qenë në prag të luftës tre herë që nga mesi i viteve 1970, duke përfshirë edhe një herë të drejtën për të eksploruar naftë në det të hapur.
Zbulimet e fundit të gazit natyror dhe planeve të shpimit në Mesdheun lindor. kanë çuar në një rritje të re të tensioneve. /tesheshi.com/