Presidenti i Francës Emanuel Macron, që nga ardhja në pozitë ka shfaqur qëndrime që në brendësi u ngjajnë atyre të Marine Le Pen. Dallimi? Ambalazhimi i deklaratave ndryshon varësisht nga konteksti, e madje, ndodh që edhe ndryshohet.
Por një analizë përmbajtjesore vë në pah se brumi politik i tij është ndërtuar nga aspiratat për pushtet të theksuar në vend dhe në Evropë. Sa i përket pushtetit të theksuar në vend, mjafton të kujtojmë deklaratat e tij për “reformimin e Islamit”, pasi shqetësimi i tij i autoritetit që ka feja mbi besimtarët me gjasë nuk e linte rehat.
Për të kujtuar pushtetin që do ta tregojë nga jashtë, mjafton të lexohen lajmet e ditëve të fundit lidhur me qëndrimet e tij për reformimin në BE, i cili për qejfin e tij do të kryhet pa ua parë gjurmët Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Kur kthehemi për analizën e së parës, pra shqetësimit të Macron për reformimin e Islamit, duhet të kuptojmë se kemi të bëjmë me një fenomen që Macron e konsideron apriori si “problem”.
Sipas tij, muslimanët janë pjesë e “monopolit intelektual” në debatet publike, dhe se vendi duhet të ndikojë për të kufizuar ndikimin e fesë te besimtarët. Ky, është një qëndrim zyrtar i tij i promovuar në një raport në shtator të vitit 2018.
Raporti prej 617 faqesh, i titulluar “Pëlhura e Islamit”, paraqet madje një plan veprues se si duhen reformuar institucionet e besimit fetar islam në vend. Raporti fliste për rrezikun që vjen nga informimi për Islamin në mediat sociale, duke e ndërlidhur këtë me “rolin disproporcional” mes literaturës së aprovuar dhe asaj kaotike të onlajnit.
Raporti, si përfundim, kërkonte reformim të Islamit, përkatësisht krijimin e një “Islami francez”, dhe minimizimin e tij sidomos në politikë.
Pra, Macron i ka vënë vetes sfidën e reformimit të Islamit. Nisma e tij përkonte me fushatat për zgjedhjet e Parlamentit Evropian, kur përballej me sfidën e tij më të fortë nga grupet konservatore dhe të djathta ekstreme, e në të njëjtën kohë kërkonte mbikëqyrje më të fortë të klerikëve muslimanë, xhamive dhe shkollave. Një nga kritikat e Macron ndaj këtyre të fundit ishte se ata nuk ka bërë sa duhet për të adresuar rrënjët e “fundamentalizmit”.
Macron po ndjek në gjurmët e presidentëve të kaluar që janë përpjekur (por nuk kanë arritur) të krijojnë një “Islam të Francës”. Duke tërhequr shembullin e “pajtimit” të Napoleon Bonaparte me komunitetin hebre të Francës, i cili vendosi një autoritet fetar të njohur nga shteti, ish-presidenti francez Nikolas Sarkozi u përpoq, si ministër i Brendshëm, të ketë një këshill përfaqësues për muslimanët francezë. Por ai grup dhe pasardhësit e tij nuk arritën të fitojnë mbështetje për shkak të ndarjeve midis grupeve muslimane. Prejardhja e tyre nga vende të ndryshme nuk i bën ata një strukturë homogjene siç i do shteti.
Nisma e tij për të reformuar BE-në, dhe në pastë sukses, po prek dy vende që janë përpjekur shumë për t’i plotësuar kushtet e vëna. Sakrificat e tyre shkuan deri në reformime të thella në drejtësi, e madje ndërrim emri.
Por Macron e sheh këtë aq thjeshtë sa e shpjegon me një shtëpi ku dikush punon me djersën e marangozit, e dikush thjeshtë hyn e del kur të dojë. Duke qenë se BE-ja e ka të qartë planin për integrim, dikush ngre teori konspiraciste se mospërfshirja e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut e ndërrojnë sado pak hartën fetare në Evropë. Konspiracion apo jo, e vërteta është se ujërat po puqen pikërisht këtu.
Përgatiti: Arbnora Avdiu-Hoxha – /tesheshi.com/