Vajza e vogël është e veshur me një hixhab dhe djali i vogël me një kippah. Të dy janë të ulur mbi shpatullat e etërve të tyre, duke qeshur me njëri-tjetrin dhe duke mbajtur pankarta në protestën kundër urdhërit ekzekutiv të presidentit Trump për ndalesën e hyrjes së muslimanëve në vend.
Fotoja, e cila u shkrep nga Nuçio DiNuzzo, një fotograf i stafit të Chicago Tribune, dhe e publikuar të hënën në mbrëmje, është shpërndarë në mënyrë virale, me njerëz duke brohoritur për universalitetin e mesazhit të saj. “Unë mendoj se fotografia flet për veten,” thotë DiNuzzo për gazetën TIME.
DiNuzzo ka shkrepur këtë fotografi në ditën e tretë të protestave të aeroportit. “Skena ndodhi në terminalin 5 të aeroportit O’Hare, i cili është terminal ndërkombëtar,” thotë ai. “Ka pasur protesta të shtunën dhe të dielën ku u tubuan deri në 1500 njerëz.”
“Papritur, pashë dy vajza që po mbanin pankarta. Ato kishin veshur hixhabin”, thotë ai. “Unë gjithmonë mbaj syrin tek fëmijët në protesta si kjo. I pyeta prindërit e tyre për emrat e fëmijëve. Ata kishin sjellë disa ëmbëlsira për avokatët që ishin prezent. Mendova se kjo është ide e shkëlqyeshme.”
Pastaj, një nga prindërit mori njërën nga vajzat dhe e vendosi mbi supet e tij. “Fillova të bëj foto të tyre”, thotë DiNuzzo. “Dhe pastaj, pashë djalin tjetër me një të pankartë në të majtë të njërës prej vajzave. Filloi të bëhej përherë e më interesante. Babai i djalit e mori në duar dhe e vendosi mbi supet e tij.”
Dhe ky ishte momenti kur funksionoi instinkti i DiNuzzo-së.” Ishte vetëm çështje kohe kur ata do të shikonin njëri-tjetrin në sy. Dhe isha i sigurtë që e kisha kapur këtë moment në foton time.”
DiNuzzo ua dorëzoi foton redaktorëve të tij, dhe për shkak se ishte tepër vonë për gazetë, ai e vuri foton në faqen e internetit Tribune dhe në Twitter, ku ajo më pas u shpërnda në mënyrë virale.
Për DiNuzzo, i cili ka qenë një fotograf i stafit të Tribune për 25 vitet e fundit, imazhi ka një mesazh universal. “Kjo bën që njerëzit të ndjehen mirë,” thotë ai. “Ka ndikuar tek njerëzit emocionalisht.” Dhe kjo është edhe qëllimi i fotografisë, shton ai. “Ju doni të depërtoni drejt në zemrën e njerëzve.” /tesheshi.com/