Lideri historik i socialistëve, tashmë i tërhequr nga jeta aktive politike, Fatos Nano, ka pranuar se debatin më të vështirë në karrierën e tij, si politikan, e ka pasur me Sali Berishën.
I ftuar në “Opinion”, Nano gjithashtu ka zbuluar se intervista më e vështirë ka qenë ajo e 18 tetorit 2001, ku foli mbi ndarjen nga ish-bashkëshortja, Rexhina.
Lideri historik i PS ka komentuar shijen që ka përjetuar kur është tërhequr nga politika, veçanërisht nga njerëzit që i ka ndihmuar të bëhen pjesë e saj.
Fatos Nano është kryetari i parë i Partisë Socialiste, sikundër është drejtuesi i vetëm i një subjekti politik që u burgos.
Deri në vitin 2005, kohë kur u shkëput nga politika, Nano absolutisht ka qenë ndër politikanët më potentë në historinë e pluralizmit shqiptar. Arma më e fortë e tij, qoftë në përballjet me kundërshtarët politikë, ashtu edhe me ato brenda partisë, ishte se njihte mjaft mirë dorëheqjen apo tërheqjen e përkohshme, e cila i jepte mundësinë të riorganizohej me njerëzit besnikë apo mbështetësit e tij.
Këtë bëri kur u dorëhoq pas 14 shtatorit 1998, dy ditë pas vrasjes së deputetit të PD-së, Azem Hajdari, apo më pas në Partinë Socialiste kur u dorëhoq nga posti i kryetarit dhe nisi lëvizjen për katarsisin e PS.
Gjithashtu mbahet mend për marrëveshjen e 2002-shit me kundërshtarin e tij më të fortë politik, Sali Berishën, e cila i dha qetësinë e nevojshme për të qeverisur i qetë të paktën 3 vite dhe të largonte nga postet kyçe të shtetit disa nga kundërshtarët e tij, që nisin me ish-presidentin Rexhep Mejdani, ish-kreun e SHISH, Fatos Klosi dhe ish-kryeprokurorin Arben Rakipi.
Përplasjen më të fortë brenda PS-së, Nano e pati me Ilir Metën në 2004, kohë kur presidenti aktual, themeloi edhe LSI-në.
Atëherë, si e more vendimin për të ardhur në studio dhe për të folur për divorcin dhe çfarë mund të thuash tani?
Nano: Ishte konsumim i martesës së parë me ish-bashkeshorten Rexhina dhe që për fat të mirë i kemi dhënë një zgjidhje, që na mundëson të marrim frymë lirisht. Kemi dy familje, por që komunikojmë.
Je penduar që je marrë me politikë?
Nano: Çfarë mund të bëja tjetër? Mund të them se nuk e kam bërë keq punën, por me shumë dashuri. Ka patur pasion më të madh politika asokohe.
Çmendoni për politikën aktuale?
Nano: Sot jemi larg parametrave dhe përjetimit jetik të ngjarjeve dhe politikës.
Çfarë keni fituar e humbur nga politika?
Nano: Kam fituar në formim, kam fituar në rreth shoqëror, në marrëdhëniet reciproke, nga vlerësimi i madh i njerëzve. Dhe sigurisht që kam humbur nga disa nga të bukurat e të jetës.
Keni marrë njerëz që ju keni dhënë pushtetin. Në momentin që nuk e ke më fuqinë, njerëzit të braktisin? Si ndodh?
Nano: Jam në gjëndje të dalloj. Shfaqja e parë është mungesa e mirënjohjes. Ndjehet ndjeshëm, në mënyre të tillë, që duhet të kesh përgatitje për t´a duruar. Dhe së dyti llogarit edhe tymnaja shqiptare dhe gjykimin e tyre mbi figurën time. Dhe njerëzit kthehen.
Po njerëz mirënjohës ka?
Nano: Ka, por janë specie e rrallë. /tesheshi.com/