Kreu i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafa, ka deklaruar se edhe pse Gjykata Kushtetuese ka pezulluar zbatimin e vettingut, ai do të zbatohet pikë për pikë.
I ftuar në emisionin Top Story, Xhafa tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar ligjin e Vettingut ishte i paralajmëruar, pasi sipas tij, kishte disa ditë që qarkullonte tek gjyqtarët dhe prokurorët vendimi në fjalë.
Ai ngriti dyshime mbi vendimin e Kushtetueses duke e argumentuar këtë edhe me mungesën e arsyetimit të vendimit të marrë.
Xhafaj tha gjithashtu se vendimi i marrë është shpërndarë menjëherë në media pa dalë ende nga salla e mbledhjes trupa e gjyqtarëve.
“Kjo nuk mund dhe nuk duhet të ndodhë në asnjë gjykatë, e jo më tek Gjykata Kushtetuese”, deklaroi Xhafaj, i cili shtoi se vetë Kushtetuesja ka një konflikt interesi me ligjin e vettingut, pasi ishte pikërisht ky institucion dhe anëtarët e tij që do t’i nënshtroheshin të parët procesit dhe pasojave të tij.
Kreu i Komisionit të Reformës në Drejtësi shprehu bindjen se Venecia do të tregohet shumë e qartë në rekomandimin e vet, se reforma e Vettingu do ta kalojnë edhe këtë pengesë, që e quajti vetëm çështje kohe, ndërsa tha se vetë Gjykata Kushtetuese cënoi legjitimitetin e saj përmes këtij akti.
Në fund, Fatmir Xhafaj kishte edhe një thirrje për të gjithë ata që janë subjekt i ligjit të Vetingut: “Gjyqtarët që i prek vetting është më mirë të largohen që tani e most ë pengojnë punën”.
/tesheshi.com/