Presidenti i SHBA Donald Trump tha se ai donte të vriste udhëheqësin sirian Bashar al-Assad në 2017, por që Sekretari i Mbrojtjes i atëhershëm Jim Mattis kundërshtoi operacionin.
“Më mirë ta hiqja atë. Gjithçka ishte gati për të,” tha Trump në emisionin Fox & Friends.
“Mattis nuk donte ta bënte atë. Mattis ishte një gjeneral shumë i mbivlerësuar dhe unë hoqa dorë”.
Këto zbulime pajtohen me pretendimet nga gazetari i Washington Post, Bob Woodward, i cili u bë i famshëm kur ai dhe Carl Bernstein zbuluan çështjen Watergate që çoi Presidentin Richard Nixon të jepte dorëheqjen.
Mohimi i Trump
Libri i Woodward-it – “Frika: Trump në Shtëpinë e Bardhë”, botuar në 2018, u quajt një trillim nga presidenti amerikan.
“Asnjëherë nuk u mor parasysh”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale më 5 shtator 2018, duke komentuar pretendimet se ai donte të vriste Asadin.
Deklarata e Trump të martën ishte pjesë e kritikave ndaj Mattis, të cilin presidenti e quajti një “njeri i madh” kur e emëroi atë në krye të Pentagonit, për të mos u pajtuar më vonë, dhe gjenerali në pension përfundimisht dha dorëheqjen në fund të 2018.
Trump thuhet se po konsideronte vrasjen e Asadit pasi udhëheqësi sirian filloi një sulm kimik ndaj civilëve në prill 2017.
“Asadi nuk është një person i mirë”
Udhëheqësi amerikan tha se forcat amerikane duhet të “hyjnë” dhe “të vrasin” Asadin, shkruan Woodward në librin e tij.
Sipas gazetarëve, Trump telefonoi Mattis dhe i tha hapur se donte të vriste presidentin sirian. Mattis ndërpreu thirrjen telefonike, u kthye te bashkëpunëtori dhe tha: “Ne nuk do të bëjmë asgjë nga kjo. Duhet të jemi shumë më të matur.”
“Mendova se ai (Asadi) nuk ishte një person i mirë dhe pata një shans për ta hequr atë, por Mattis ishte kundër,” tha Trump.
“Mattis ishte kundër shumicës së atyre gjërave.” /tesheshi.com/