Nga të 16 ndeshjet e para të një të gjashtëmbëdhjetave të Ligës së Europës, surpriza e vetme e vërtetë ka qenë humbja e Totenhemit në fushën e skuadrës belge të Gentit.
Me paraqitje shumë të mira në kampionatin anglez, në luftë për titull, Totenhemi do të dështonte fillimisht në Champions League, për të vijuar në të njëjtën rrugë dhe në këtë veprimtari. Humbja 1-0 nuk është e pakapërcyeshme, por tingëllon keq për një ekip si Totenhemi.
Ka patur në mbrëmjen e së martës shumë fitore në fushë kundërshtare, por e para mund të radhitet pa frikë ajo e Romës, 0-4, ndaj Vilarealit në Spanjë. Tre prej golave mbajnë firmën e boshnjakut Dzeko.
Lioni fitoi 1-4 në Holandë ndaj Az Alkmarit; me të njëjtin rezultat, 0-1, Fiorentina mposhti në transfertë Borusian e Mynshegladbahut, e Shakhtari i Donjeckut spanjollët e Selta Vigos. Po kështu, Kopenhageni u kthye me fitoren 1-2 nga transferta e Ludogorecit, turqit e Beshiktashit i mundën 1-3 në tranfertë izraelitët e Hapoel Bir Shevës, dhe Shalke mposhti pastër PAOK-un, 0-3.
Nga skuadrat pritëse, fitoren më të thellë e arriti Rostovi, që fitoi 4-0 ndaj Spartës së Pragës. Ibrahimovic ka qenë heroi i Mançester Junajtedit, pasi të tre golat në fitoren 3-0 ndaj Sent-Etjenit mbajnë firmën e tij.
Krasnodari i mundi minimalisht turqit e Fenerbahçes, 1-0, Anderlehti e mbylli me rezultatin 2-0 ndeshjen ndaj Zenitit të Petërsburgut, e Atletik Bilbao ia doli të fitonte 3-2 ndaj APOEL-it.
Nga tre barazimet e mbrëmjes së Europa League-s, dy prej tyre nuk patën gola, dhe pikërisht Olimpiakos – Osmanllëspor e Legia e Varshavës – Ajaks. Përfundimi 2-2 i përket ndeshjes Astra – Genk.
Ndeshjet e kthimit do të luhen pas një jave, më 23 shkurt. /tesheshi.com/