Presidenti afgan, Eshref Gani, arriti të dielën në SHBA, në të parën vizitë të tij që pas marrjes së postit.
Ai do të takohet me presidentin Obama, me sekretarin e Shtetit, John Kerry, e me sekretarin e Mbrojtjes, Ashton Carter, gjatë vizitës që do të zgjasë katër ditë.
Vendin kryesor në axhendën e bisedimeve do ta zërë tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani.
Gani, i ngjitur në detyrë në shtator, synon të rinisë bisedimet e paqes me talibanët, dhe kërkon ta bindë Obama-n t’i shtyjë planet për tërheqjen e disa trupave amerikane nga fundi i këtij viti.
SHBA-të kanë 9.800 trupa në Afganistan, për të stërvitur e mbështetur ushtrinë afganase, por kërkojnë ta çojnë në 5.600 këtë numër nga fundi i vitit, e ta tërheqin pjesën e mbetur në fund të 2016-s. Vetëm pak trupa do të mbeten në vend për të mbrojtur ambasadën amerikane.
Ashton Carter, sekretari amerikan i Mbrojtjes, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Obama po shqyrton një numër mundësish për të përforcuar mbështetjen tonë për strategjinë e sigurisë të presidentit Gani, duke përfshirë ndryshimet e mundshme në afatet kohore të zvogëlimit të numrit të trupave amerikane.
Nga ana e tij, Gani u shpreh në një intervistë se shumica e afganëve duan që prania ushtarake amerikanë të vazhdojë. “Ata i shohin Shtetet e Bashkuara si kritike për të ardhmen e tyre,” qenë fjalët e tij.
Eshref Gani, një ish-antropolog, u zgjodh si president i Afganistanit më 21 shtator 2014, dhe ka shërbyer më parë si ministër i Financave. /tesheshi.com/