Presidenti turk ka mbajtur një fjalë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku ka folur mbi një sërë çështjesh. Njëra prej të cilave është sot e kësaj dite në plan të parë në Turqi.
Duke bërë një paraqitje të asaj çka ndodhi në mesin e verës në Turqi, Rexhep Tajjip Erdogan u ka kujtuar të pranishmëve në sallën e OKB-së se Organizata Terroriste Gyleniste (FETÖ) ishte një kërcënim për të gjitha vendet ku ajo vepron.
Prej tij ka patur një thirrje përkujtuese për të gjithë ata të cilët ai i cilëson si miq: “Po u bëj thirrje nga ky podium të gjithë miqve tanë që të ndërmarrin shpejt hapat e nevojshme kundër Organizatës Terroriste Gyleniste për sigurinë dhe të ardhmen e vendeve të tyre.”
“Eshtë e qartë nga përvoja se nëse nuk luftoni kundër FETÖ-s tani, nesër mund të jetë shumë vonë,” ka vënë në pah ai.
Sa ka të bëjë me krizën humanitare në lidhje me Sirinë, Erdogani ka premtuar se vendi i tij do të vazhdojë t’i presë refugjatët sirianë. “Sepse ne jemi krijesa njerëzore,” ka thënë presidenti turk, duke ngritur zërin për pandjeshmërinë ndaj refugjatëve.
“Inkursioni i Turqisë në veri të Sirisë në fillim të shtatorit ka çuar në vendosjen e paqes, të ekuilibrit dhe stabilitetit në një rajon të mbërthyer nga dëshpërimi,” është shpjeguar Erdogani në lidhje me operacionin ushtarak turk “Mburoja e Eufratit” brenda kufirit sirian.
Kryeshtetari turk e ka bërë të qartë se nuk ka plane për të qëndruar në Siri, “Ne e respektojmë integritetin territorial të Sirisë!”
E në lidhje me një çështje të diskutuar dhe më parë prej tij, Erdogani e ka përsëritur edhe njëherë se Këshilli i Sigurimit të OKB-së është një “sistem i pabarabartë”, që nuk reflekton vullnetin e vendeve të varfra dhe të pazhvilluara.
“Sot dua t’i kujtoj bashkësisë ndërkombëtare edhe një herë se bota është më e madhe se pesë,” është shprehur presidenti i Turqisë, duke e patur fjalën për pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit.
“Ne duhet të përpiqemi ta ndryshojmë sistemin. Natyra përfaqësuese e Këshillit të Sigurimit duhet të garantojë që sistemi i OKB-së mund të bëhet shumë më tepër efektiv, i drejtë dhe i paanshëm,” ka shtuar ai.
Fjala e Erdoganit ka qenë një prej të priturave më me interes në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. /tesheshi.com/