Në një intervistë për agjencinë e lajmeve ATTN, këngëtari i njohur i bendit irlandez U2 dhe aktivisti për të drejta të njeriut, Bono Vox u prononcua edhe në lidhje me çështjen e refugjatëve sirianë dhe qasjen e ngurtë të politanëve karshi kësaj problematike.
“Të kthesh njerëzit prapa vetëm për shkak se ata janë refugjatë, është një tradhëti e idesë që quhet Amerikë. Toka e premtuar iu takon atyre që për të kanë nevojë më së shumti. Irlandezët patën nevojë, hebrenjtë patën nevojë, tani sirianët kanë nevojë”, thotë Bono Vox.
6,000 sirianë braktisin shtëpitë e tyre çdo ditë. Gjysma e tyre janë fëmijë.
“Ju keni Statujën e Lirisë në port. Mos i mbyllni dyert tuaja. Më shumë se gjysma e guvernatorëve të SHBA kanë thënë se nuk do të lejojnë refugjatët sirianë në shtetet e tyre”, tha më tutje Bono.
I pyetur se çfarë mendimi ka ai kur dëgjon politikanë të cilët thonë gjëra të tilla si “ne duhet të ndalojmë hyrjen e refugjatëve”, Bono u përgjigj: “Unë jam irlandez, ne jemi refugjatë ekonomikë. Koncepti i një kontinenti i cili sillet si një ishull e kjo shtirje gjoja bota përreth nuk ekziston, nuk është e mundur të funksionojë më në botën e globalizuar në të cilën ne po jetojmë”.
Në pyetjen “Cili është miti më i madh për refugjatët?”, ai u përgjigj:
“Ne gjithmonë dëshirojmë të mendojmë se këta njerëz në anën tjetër nuk ndihen si ne. Ne nuk mund të jetojmë me idenë se këta njerëz janë të njëjtë sikur gjithë ne. Njerëzit të cilët kanë hipur nëpër ato anije, nëpër brigjet perëndimore të Sirisë, nëse flet me ta, ata janë njerëz me të cilët kam shkuar në shkollë, njerëz me të cilët jam rritur, mësues, infermierë, njerëz intelegjenët, dhe megjithatë ata janë përgatitur të kapen për një copë druri në përpjekje për të notuar deri te liria”. /tesheshi.com/