Rrëzimi i një avioni luftarak rus nga forcat ushtarake turke në nëntorin e 2015-tës do të sillte një prishje të menjëhershme të marrëdhënieve të ndërsjellta, që do të kishin efektet e tyre jashtëzakonisht negative në muajt në vazhdim.
Pas grushtit të dështuar të shtetit në Turqi kanë pasuar disa deklarata që lënë të kuptohet se rrëzimi i avionit ka qenë i qëllimshëm, për të krijuar tension mes Rusisë e Turqisë, e se në të është dora e Gylenit.
Presidenti turk, Rexhep Tajjip Erdogan do të thoshte në një intervistë të para disa orëve në rrjetin informativ Al Jazeera se pilotët turq që rrëzuan avionin luftarak rus mund të kishin lidhje me organizatën terroriste gyleniste, FETÖ.
“Pilotët të cilët e rrëzuan avionin rus janë në paraburgim, dhe po pyeten për lidhjet gyleniste,” deklaroi Erdogani, duke shtuar se me këtë akt mund të jetë kërkuar prishja e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ndërkohë, këshilltari i presidentit rus për politikë të jashtme, Aleksandër Dugin, ka thënë se FETÖ krijoi një krizë midis Turqisë dhe Rusisë duke e rrëzuar avionin luftarak rus në nëntorin e vitit të shkuar.
“Rrëzimi i avionit dhe vrasja e pilotit ishin vegla të një komploti gjeopolitik,” këmbëngul ai.
Incidenti, sipas tij, ishte krijuar nga forca që kërkonin që ai të kishte ndikim negativ në marrëdhëniet midis dy vendeve.
Po ashtu, Dugin mendon se koha e zgjedhur për shpërthimet vdekjeprurëse në aeroportin Ataturk të Stambollit ishte domethënëse, duke përkuar me nisjen e përmirësimit të marrëdhënieve midis Rusisë dhe Turqisë. /tesheshi.com/