Presidenti turk ka dhënë një intervistë për programin “Uvda” të televizionit izraelit Channel 2 e të transmetuar një natë më parë, ku ka folur mbi shumë tema të nxehta, si në marrëdhëniet midis Turqisë dhe Izraelit, ashtu dhe në arenën ndërkombëtare.
Edhe pse kanë kaluar vetëm pak ditë që prej rinisjes së marrëdhënieve të plota diplomatike midis dy vendeve, me emërimin reciprok të ambasadorëve, Erdogani ka qenë i drejtpërdrejtë në intervistën e tij.
“Nuk pajtohem me atë që bëri Hitleri, dhe nuk pajtohem me atë që bëri Izraeli në Gaza. Peresit i thashë në Davos, ‘Dini shumë mirë të vrisni,’” i ka thënë ai gazetares.
Hamasi nuk është një organizatë terroriste, ka theksuar Erdogani, dhe zgjidhja e konfliktit izraelito-palestinez nuk vjen vetëm me bisedimet me njërën palë.
Në lidhje me sulmin e gjashtë viteve më parë të forcave izraelite mbi anijen “Mavi Marmara”, kreu i shtetit turk e bëri të qartë se ishte e pamundur të besohej që ushtarët izraelitë u përpoqën të shmangin gjakderdhjen.
“Kemi të gjitha provat dhe dokumentet. Eshtë e pamundur që ushtarët po vepronin në vetëmbrojtje. Fatkeqësisht, dhjetë prej vëllezërve tanë u flijuan atje.”
Sa i përket luftës ndaj ISIS-it, Erdogani ka shprehur rezerva për përpjekjet e Perëndimit, duke akuzuar gjithashtu për mbështetje të organizatave terroriste me armatime nga aktorët perëndimorë.
“Ne shohim se avionët hedhin armë, dhe gjysma e tyre shkojnë për PYD-në dhe YPG-në, e gjysma për DAESH-in.”
Duke iu kthyer politikës, Erdogani ka nënvizuar se, “Gjëja që urrej më shumë në politikë është gënjeshtra.”
“Çdo vend shkon përpara me udhëheqës të fuqishëm. Një vend nuk mund të bëjë përpara pa një udhëheqës të fuqishëm. Nuk mjafton të jesh vetëm i fuqishëm, duhet të jesh dhe i drejtë.” /tesheshi.com/