Presidenti turk ka shfrytëzuar një forum në Stamboll për të ngritur rishtas zërin për Jerusalemin, për el-Aksanë, e për projektligjin izraelit që parashikon ndalimin e ezanit.
Ashtu si dhe në të shkuarën, Recep Tayyip Erdoğan ka folur pa doreza, duke ngjallur zemërim në Izrael. Duke folur në Forumin Ndërkombëtar mbi Vakëfet e el-Kudsit, kryeshtetari karizmatik turk u ka bërë thirrje muslimanëve ta vizitojnë më shumë Jerusalemin e xhaminë el-Aksa, për ta mbrojtur identitetin e tyre.
“Si një ummet musliman, ne duhet ta vizitojmë shpesh xhaminë el-Aksa. Çdo ditë që Jerusalemi është nën pushtim është një fyerje për ne.”
Erdoğan-i ka qenë tejet i ashpër në lidhje me një përpjekje izraelite për të ndaluar thirrjen për falje, ezanin, duke premtuar moslejimin e diçkaje të tillë.
“Një projektligj që synon të ndalojë thirrjen për faljen e mëngjesit në xhamitë [në Jerusalem] është në pritje në parlamentin izraelit. Fakti që madje një çështje e tillë shtrohet në axhendë është i turpshëm. Në dashtë Zoti, nuk do ta lejojmë heshtjen e ezanit në qiejt e Jerusalemit.”
Drejtuesi i shtetit turk ka shtuar në vijim një pyetje për izraelitët: “Pse i frikësoheni lirisë së besimit nëse besoni në fenë tuaj? Pse i frikësoheni zërit të ezaneve tona?”
E për trajtimin e palestinezëve nga izraelitët, Erdoğan-i ka kërkuar reagim nga bashkësia ndërkombëtare: “Ata ndjejnë se janë të siguruar ndaj çdo ndëshkimi për krimet e tyre, por bashkësia ndërkombëtare duhet t’u ngrihet kundër. Eshtë e pamundur të vendosësh paqe në rajon nëse ligji ndërkombëtar qëndron shpërfillës ndaj mizorisë dhe masakrave.”
I menjëhershëm ka qenë reagimi izraelit ndaj komenteve të presidenti turk, ku bie në sy deklarata e ashpër e kryetarit të Knesset-it, parlamentit të Izraelit.
Siç raporton The Jerusalem Post, Yuli Edelstein e ka quajtur Erdoğan-in një armik të vendit të tij.
“Pavarësisht pajtimit midis Izraelit dhe Turqisë, Erdoğan-i ishte dhe mbetet një armik.”
Një deklaratë e bërë këtë mëngjes në radion publike izraelite, e që përcjell zemërimin izraelit. /tesheshi.com/