Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan akuzoi gazetën “New York Times” ditën e hënë se ka ndërhyrë në punët e brendshme të Turqisë, pasi ajo botoi një artikull që e kritikonte atë. Presidenti tha me zemërim se gazeta “duhet t`i dijë kufijtë e saj.”
Me rritjen e debatit mbi të drejtat e medias në Turqi para zgjedhjeve legjislative që do të mbahen më 7 qershorin e ardhshëm, Erdogan përshkroi artikullin e publikuar nga gazeta amerikane si “jo etik dhe zbatues i urdhërave të SHBA-ve’’.
Në një fjalim televiziv nga Stambolli, ai i tha gazetës se: “Ju jeni duke ndërhyrë në punët e Turqisë duke shkruar artikuj si kjo, kështu ju i tejkaloni kufijtë e lirisë.”.
Erdogan ngriti pyetjen nëse redaktorët e gazetës mund të bënin të njëjtën gjë me administratën amerikane, duke theksuar se administrata amerikane do të merrte menjëherë masat e duhura për një rast të tillë.
The New York Times botoi ditën e premte një artikull me titull “Retë e zeza mbi Turqinë” nga ku kritikonte me forcë ‘’sundimin’’ e Erdogan, duke e akuzuar atë për nisjen e një fushatë agresore përpara zgjedhjeve.
Artikulli vuri në dukje kritikat e ashpra të presidentit Erdogan ndaj grupit mediatik Dogan, e cila zotëron gazetën Hurriyet dhe e cila u kritikua për shkak të mbulimit të dënimit me vdekje kundër presidentit egjiptian të Mohamed Morsi. Gazeta tha se “Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të Turqisë në NATO duhet ti bëjnë thirrje Erdoganit që të heqë dorë nga kjo rrugë shkatërruese.”
Tensionet politike në Turqi janë rritur ndjeshëm përpara zgjedhjeve të ardhshme legjislative, ku partia për Drejtësi dhe Zhvillim është duke kërkuar për të mbajtur pushtetin e fituar me votë që nga viti 2002.