Një valë rekord nxehtësie u regjistrua në Emiratet e Bashkuara Arabe në prill, me temperaturën mesatare maksimale që arriti në 42.6 gradë Celsius muajin e kaluar, diçka e paprecedentë në 20 vitet e fundit në këtë vend të Gjirit të pasur me naftë.
Temperatura mesatare maksimale më e lartë e regjistruar ndonjëherë në muajin prill ishte 42.2 gradë Celsius në vitin 2017, sipas një llogaritjeje të bazuar në të dhënat e ofruara Agjencisë Franceze të Lajmeve (AFP) nga Qendra Kombëtare Meteorologjike, të dhënat e së cilës datojnë që nga viti 2003.
Vendi ka disa ditë që po përjeton një mot të pazakontë të nxehtë për sezonin, duke bërë që autoritetet të lëshojnë rekomandime për popullsinë, duke u bërë thirrje qytetarëve, ndër të tjera, të pinë shumë ujë dhe të shmangin aktivitetet në natyrë gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Këto kushte shpjegohen nga depresionet termike që vijnë nga shkretëtira dhe të cilat “shkaktojnë një masë ajri shumë të nxehtë, e cila quhet Era e Jugut”, shpjegoi Ahmed Habib, meteorolog në Qendrën Kombëtare për Meteorologjinë.
Mërkuri arriti në 46.6 gradë më 27 prill në emiratin e Fujairah, temperatura e dytë më e lartë e regjistruar ndonjëherë në muajin prill në vend, pas një rekordi prej 46.9°C në prill të vitit 2012.
Në të kundërt, i njëjti muaj i vitit të kaluar u shënua nga reshje rekord. Këto shira, të paprecedentë në 75 vitet e fundit, kishin shkaktuar vdekjen e katër personave dhe kishin paralizuar qytetin e Dubait për shumë ditë. /tesheshi.com/